“I dashur Joe, nëse nuk do të ishte politika, ne do të ishim miq të mirë”, zbulohet letra sekrete që Trump i la Bidenit në Zyrën Ovale
Lucia Sabrina Papa, 56 vjeçe, e lindur e verbër, është bërë kursantja e parë pilote avioni me aftësi të kufizuara në shikim në Itali. Historia e saj e jashtëzakonshme e pasionit dhe këmbënguljes ka marrë vëmendje në vendin fqinj, ndërsa së fundmi ajo ka vizituar për herë të parë Kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në aeroportin e Romës, Fiumicino.
E lindur në Salice Salentino, në provincën e Leçes, Lucia vuan që nga lindja nga një distrofi retinale që i ka shkaktuar verbërinë. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të ndjekë ëndrrën e saj për fluturimin, një dëshirë që e shoqëron që në fëmijëri, kur jetonte pranë aeroportit ushtarak “Fortunato Cesari” në Galatina dhe dëgjonte zhurmën e avionëve.
“Që e vogël, kur dëgjoja avionët, vrapoja në kopsht. Më tërhiqte ai gjëmim i fuqishëm që dukej sikur donte të më shkëpuste nga toka. Gjithmonë them se, kur isha e vogël, doja të isha avioni dhe jo piloti, sepse avioni fluturonte më lart dhe më shpejt se zogjtë. Përfytyroja atë qiell të pafund, të lirë, ndërsa nga gjendja ime, toka më shfaqej plot pengesa”, ka treguar Lucia.
Pas një karriere në sektorin e informatikës, ëndrra e saj nisi të marrë formë në vitin 2016, kur filloi të afrohej gjithnjë e më shumë me botën e aviacionit. Përmes shoqatave “Baroni rotti” dhe “We-Fly Team”, ajo nisi fillimisht si pasagjere në fluturime, përpara se të provonte gradualisht komandimin e disa llojeve të avionëve.
Gjatë këtij rrugëtimi, Lucia ka fluturuar me avionë ultralehtë me dy vende, si Sky Arrow dhe Tecnam P-92, si dhe me Cessna 152 dhe 172. Ajo ka provuar edhe avionin akrobatik Extra EA-200.
“Unë nuk e kisha menduar kurrë idenë e pilotimit. Kam filluar 11 vjet më parë falë shoqatës ‘Baroni rotti’ dhe We-Fly Team. Fillimisht iu afrova fluturimit si pasagjere dhe më pas, falë instruktorit, pashë se si funksiononin komandat”, rrëfen ajo.
Me kalimin e kohës, Lucia nisi të merrte gjithnjë e më shumë kontrollin e komandave të avionit. Së bashku me instruktorin, i cili besoi te aftësitë e saj, zhvilloi një metodë të veçantë prekëse për të kuptuar pozicionin e avionit dhe për të lexuar instrumentet.
“Unë, gradualisht, i mbaja gjithnjë e më shumë këto komanda dhe filloja ta ndieja gjithnjë e më shumë avionin si timin, derisa gjeta një instruktor që kuptoi se mund të bëja shumë më tepër. Krijuam një metodë prekëse për të kuptuar pozicionin e avionit dhe për të lexuar treguesit. Mësova çfarë duhet të bëja dhe kur duhej ta bëja. Instruktori është gjithmonë pranë meje dhe përfaqëson sytë e mi”, shprehet Lucia.
Deri më tani, ajo ka realizuar 200 orë fluturimi me avionë ultralehtë dhe tashmë po vijon përvojën e saj në aviacionin e përgjithshëm. Ka provuar edhe fluturimin me helikopter, por preferenca e saj mbetet avioni. Historia e saj është rrëfyer edhe në autobiografinë me titull “Volando nell’invisibile” (Duke fluturuar në të padukshmen).
Një tjetër moment i veçantë për Lucian ishte vizita në Kullën e Kontrollit të aeroportit të Romës-Fiumicino, ku për herë të parë pati mundësinë të njihej nga afër me punën e kontrollorëve të trafikut ajror dhe teknologjitë që përdoren për menaxhimin e fluturimeve.
Në këtë vizitë mori pjesë edhe ministrja italiane për Aftësinë e Kufizuar, Alessandra Locatelli. Aktiviteti u organizua me mbështetjen e ANACNA-s, Shoqatës Kombëtare të Asistentëve dhe Kontrollorëve të Navigacionit Ajror. Lucian e pritën presidenti i ENAV-it, Sandro Pappalardo, dhe përgjegjësi i Kullës së Kontrollit, Aldo Crisafulli.
“Historia e saj është një dëshmi e jashtëzakonshme e pasionit, vendosmërisë dhe lirisë, por mbi të gjitha na fton të kapërcejmë ato paragjykime dhe barriera kulturore që edhe sot rrezikojnë të kufizojnë mundësitë e personave me aftësi të kufizuara”, deklaroi ministrja Locatelli.
Historia e Lucias është një shembull se si pasioni, këmbëngulja dhe mbështetja e duhur mund të sfidojnë kufijtë që shoqëria shpesh i vendos përpara personave me aftësi të kufizuara.
Top Channel