Lucia Sabrina Papa, 56 vjeçe, është bërë kursantja e parë pilote avioni me aftësi të kufizuara në shikim në Itali. E verbër që nga lindja, ajo ka kryer deri tani 200 orë fluturimi me avionë ultralehtë dhe po vijon përvojën e saj në aviacionin e përgjithshëm.
Lucia lindi në Salice Salentino, në provincën e Leçes. Verbëria e saj është pasojë e një distrofie retinale që e ka që nga lindja. Dëshira për të fluturuar nisi në fëmijëri, kur banonte pranë aeroportit ushtarak “Fortunato Cesari” në Galatina dhe dëgjonte avionët që kalonin.
Të lidhura
None found
Ajo kujton se, sapo dëgjonte zhurmën e tyre, dilte me vrap në kopsht. Gjëmimi i avionëve i krijonte ndjesinë sikur mund ta shkëpuste nga toka. Si fëmijë, thotë Lucia, nuk ëndërronte të ishte pilote, por vetë avioni, që fluturonte më lart e më shpejt se zogjtë. Qiellin e përfytyronte të pafund e të lirë, në kontrast me tokën, e cila, për shkak të gjendjes së saj, i dukej plot pengesa.
Pas një karriere në informatikë, Lucia filloi t’i afrohej më shumë aviacionit në vitin 2016. Ajo tregon se nisi të merrej me fluturimin 11 vjet më parë falë shoqatave “Baroni rotti” dhe “We-Fly Team”. Në fillim udhëtonte si pasagjere; më pas, me ndihmën e një instruktori, u njoh me funksionimin e komandave dhe nisi të provonte drejtimin e avionëve të ndryshëm. Deri atëherë, ideja se mund të pilotonte nuk i kishte shkuar ndër mend.
Gjatë kësaj përvoje, ajo ka fluturuar me avionët ultralehtë dyvendësh Sky Arrow dhe Tecnam P-92, si edhe me Cessna 152 e 172. Ka provuar gjithashtu avionin akrobatik Extra EA-200 dhe fluturimin me helikopter, ndonëse parapëlqen avionin.
Lucia nisi t’i mbante komandat për periudha gjithnjë e më të gjata, derisa një instruktor vlerësoi se ajo mund të bënte më shumë. Së bashku zhvilluan një metodë të bazuar te prekja, që e ndihmon të kuptojë pozicionin e avionit dhe të lexojë treguesit. Në këtë mënyrë, ajo mësoi çfarë veprimesh duhen kryer dhe në cilin çast. Instruktori qëndron gjithmonë pranë saj dhe, siç shprehet Lucia, është «sytë» e saj.
Përvoja e saj është treguar edhe në autobiografinë “Volando nell’invisibile” (Duke fluturuar në të padukshmen). Së fundmi, Lucia vizitoi për herë të parë Kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në aeroportin e Romës-Fiumicino. Atje u njoh nga afër me punën e kontrollorëve dhe me teknologjitë që përdoren për menaxhimin e fluturimeve.
Në vizitë mori pjesë edhe ministrja italiane për Aftësinë e Kufizuar, Alessandra Locatelli. Aktiviteti u mbështet nga ANACNA, Shoqata Kombëtare e Asistentëve dhe Kontrollorëve të Navigacionit Ajror. Lucian e pritën presidenti i ENAV-it, Sandro Pappalardo, dhe përgjegjësi i Kullës së Kontrollit, Aldo Crisafulli.
Locatelli e cilësoi historinë e saj si dëshmi të pasionit, vendosmërisë dhe lirisë. Sipas ministres, ajo është mbi të gjitha një thirrje për të kapërcyer paragjykimet dhe barrierat kulturore që ende mund t’ua kufizojnë mundësitë personave me aftësi të kufizuara. Rrugëtimi i Lucias tregon rolin që mund të luajnë pasioni, këmbëngulja dhe mbështetja e duhur përballë kufijve që shoqëria u vendos shpesh këtyre personave.





