
Partia Demokratike dhe portalet pranë saj kanë ricikluar sot në qarkullim pretendimet për lidhje familjare dhe emërime nepotike në Portin e Durrësit. Pas publikimeve për të ashtuquajturin “djalë të tezes” së ministrit Pirro Vengu, kësaj here është Sali Berisha që i rikthehet të njëjtit pretendim, duke e shoqëruar me akuza të tjera për komandimin e Andrea Shllakut në krye të Autoritetit Portual Durrës.
Problemi është se pretendimi për lidhjen familjare mes Vengut dhe Shllakut është rrëzuar më herët nga verifikimet e publikuara në media. Sipas tyre, Pirro Vengu nuk ka teze fare, çka e bën të pamundur edhe lidhjen familjare që është përdorur për të ndërtuar këtë histori. Megjithatë Berisha duket se djalin e tezes e ka si kauzën më të fortë për sulmet e tij.
Në politikën e Berishës, një gënjeshtër e përsëritur mjafton për t’u rikthyer si lajm. Në reagimin e tij, Berisha pretendon se Andrea Shllaku dhe Pirro Vengu janë konstatuar me shkelje të rënda nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe se për të dy ishte propozuar shkarkimi nga detyra. Ai e cilëson Portin e Durrësit si një pikë kryesore të trafikut të drogës, duke ngritur akuza të rënda ndaj qeverisë.
Pretendimi i rrëzuar për lidhje familjare rikthehet në të njëjtën histori, tashmë i paketuar me akuza të reja. Andrea Shllaku është komanduar në krye të Autoritetit Portual Durrës, duke zëvendësuar Liburn Aliun, i cili ishte emëruar në këtë detyrë në tetor 2025. Shllaku ka mbajtur më herët funksionet e zëvendësministrit të Mbrojtjes, drejtorit të Divizionit Operacional dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Portit të Durrësit.
