
Një rritje graduale e pensioneve deri në vitin 2029 është objektivi i qeverisë, ndërsa shifra që bie më shumë në sy është ajo e pensionit rural, i cili pritet të arrijë në 400 mijë lekë të vjetra në muaj. Lajmi u bë i ditur nga deputetja e PS-së, Milva Ekonomi në A2 CNN. “Pensioni rural do të shkojë 400 mijë lekë të vjetra në muaj deri në 2029”, deklaroi Ekonomi, duke sqaruar se rritja do të realizohet në mënyrë graduale dhe do të ndryshojë në varësi të kategorisë së pensionit.
Gjatë intervistës, deputetja u ndal edhe te burimet financiare që do të mbështesin këtë politikë, duke theksuar se të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur falë luftës kundër informalitetit.
“Fondi që duhet për të shpenzuar nga sigurimet shoqërore, nga 60% që ishte, ka kaluar në 77% mbulim. Kjo është falë luftës së informalitetit dhe mbledhjes më të mirë të sigurimeve”, u shpreh ajo. Ekonomi foli gjithashtu për bonuset mujore që parashikohen për kategoritë e ndryshme të pensionistëve, duke theksuar se nuk do të ketë një rritje të njëjtë për të gjithë.
Sipas saj, bonusi do të jetë:
36 mijë lekë të reja në muaj për pensionin e plotë urban;
16 mijë lekë të reja për pensionin e pjesshëm;
2 mijë lekë të reja për pensionin rural;
1,400 lekë të reja për pensionin familjar.
“Ka pensione të ndryshme. Pension i plotë me kohë të plotë urban do ta ketë bonusin e vet 36 mijë lekë të reja më shumë në muaj”, deklaroi Ekonomi. Objektivi i vitit 2029 mbetet një nga premtimet kryesore për rritjen e të ardhurave të pensionistëve, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zbatohet skema dhe çfarë përfitimi konkret do të ketë secila kategori.
