
Nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi u ka dhënë jehonë deklaratave të eurodeputetëve teklsa shkruan se ata rrëzuan propagandën banale të kryeministrit Rama.
Ai shkruan se qëndrimet e tyre, sidomos ajo e kreut të Komisionit të Jashtëm McAllister janë një goditje e drejtpërdrejtë ndaj kreut të qeverisë.
Këlliçi shton më tej se eurodeputetë njohën korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe brutalitetin policor të qeverisë si burimin e revoltës dhe protestave në vend. Në fund nënkryetari demokrat thekson se Parlamenti Evropian e dha mesazhin, se për zgjedhje të lira e të ndershme duhet të ikë Rama.
“Parlamenti Europian rrëzon Ramën bashkë me propagandën e tij banale!
Qëndrimet sot të anëtarëve të Parlamentit Europian e në veçanti të kreut të Komisionit të Jashtëm, David McAallister, ishin një goditje direkte për Edi Ramën, qeverisjen e tij dhe rrëzim i propagandës.
Ata njohën korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe brutalitetin policor të qeverisë si burimin e revoltës dhe protestave në vend. Skenari propagandistik i Edi Ramës me agjentë të huaj, me lëvizje Antifa, apo me puçistë të brendshëm, nuk pi ujë askund! Janë aferat e tij, korrupsioni në çdo sektor dhe inkriminimi që e kanë futur Shqipërinë në krizë. Sot nga Brukseli ka ardhur mesazhi i qartë dhe pa ekuivok, se për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet larguar Rama. PE njohu sot realitetin siç është dhe ofroi zgjidhje: Qeveri teknike, zgjedhje të lira e të ndershme!”