Një përplasje e re ka shpërthyer brenda Bashkimit Evropian lidhur me buxhetin afatgjatë të unionit dhe mbështetjen financiare për Ukrainën.Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkon që miratimi i buxhetit të ardhshëm të kushtëzohet me një paketë të re financiare për Kievin, por nisma e tij ka hasur në kundërshtimin e Sllovakisë, Çekisë, Hungarisë dhe Bullgarisë. Kryeministri sllovak, Robert Fico e cilësoi kërkesën e Merzit si ‘shantazh’ duke paralajmëruar se Bratislava mund të përdorë veton për të bllokuar vendimmarrjen. Edhe homologu çek, Andrej Babiš, kundërshtoi këtë qasje, duke kujtuar se projektbuxheti i propozuar parashikon 100 miliardë euro për Ukrainën, por këto fonde do të jenë të disponueshme vetëm në vitin 2028. Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, Merz argumenton se mbështetja për Ukrainën është pjesë e sigurisë së përbashkët evropiane dhe për këtë arsye barra financiare duhet të ndahet mes të gjitha vendeve anëtare.