Makinat fluturuese nga vera e 2027 do të nisin të qarkullojnë në Kinë, ja sa kushtojnë

10/11/2026 22:30

Makinat fluturuese mund të bëhen realitet që nga vera e vitit 2027 në Kinë.

Kompania kineze XPeng ka njoftuar se automjeti i saj fluturues me dy vende pritet të jetë gati për përdorim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, fillimisht për aktivitete rekreative në zonat rurale dhe për shërbimet e emergjencës.

Sipas kompanisë, modeli do të kushtojë rreth 300 mijë dollarë dhe është rezultat i afro 10 viteve zhvillim. Automjeti ka marrë miratimin e autoriteteve kineze të aviacionit civil për përdorim të kufizuar, reaporton The Guardian.

Por ndryshe nga makinat tradicionale, ky mjet nuk ka rrota. Ai është i pajisur me gjashtë helika elektrike, të ngjashme me ato të dronëve, që mundësojnë ngritjen dhe lëvizjen në ajër. Drejtimi bëhet përmes një leve, ndërsa automjeti mund të fluturojë edhe në mënyrë autonome drejt një destinacioni të programuar.

Drejtori ekzekutiv i XPeng, Deli Zhao, deklaroi në Samitin Web në Lisbonë se përdoruesit mund të mësojnë ta drejtojnë mjetin brenda vetëm pesë minutash. Sipas tij, automjeti është projektuar për të apasionuarit pas udhëtimeve, sporteve në natyrë dhe fluturimit.

Një tjetër veçori është mënyra e transportimit. Pajisja shoqërohet nga një furgon i madh me gjashtë rrota, nga pjesa e pasme e të cilit automjeti fluturues mund të nxirret dhe të shpaloset.

Megjithatë, përdorimi i tij do të jetë fillimisht i kufizuar në zona të miratuara posaçërisht në Kinë dhe në operacionet e shërbimeve të emergjencës. Aktualisht, mjeti ka një autonomi fluturimi prej rreth 30 kilometrash dhe mund të ngrihet deri në një lartësi prej 1 kilometri mbi tokë.

Projekti është pjesë e strategjisë së Pekinit për zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e lartësisë së ulët”, ku përfshihen dronët, transporti ajror i mallrave dhe automjetet fluturuese për pasagjerë.

Top Channel