Është identifikuar shqiptari 39-vjeçar që u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë. Viktima është Luka Beqiraj, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës, teksa ndodhej në tarracën e një lokali.
Sipas mediave spanjolle, atentati ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club. Një person i armatosur iu afrua 39-vjeçarit dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas krimit, autori u largua me një skuter elektrik. Dëshmitarët që ndodheshin në zonë kanë raportuar lëvizjet e tij, ndërsa ai dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, hetuesit dyshojnë se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh, por motivet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autori është shpallur në kërkim, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tij.


