Një ushtar i ushtrisë amerikane është arrestuar në Britani të Madhe, nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë.
Sipas BBC-së, 41-vjeçari, pjesëtar i lartë i ushtrisë amerikane, u arrestua të martën në afërsi të Gloucesterit, në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga policia britanike kundër terrorizmit.
Policia kundër terrorizmit në Londër bëri të ditur se arrestimi u krye në bazë të neneve 1 dhe 3 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023. Këto dispozita lidhen me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, si dhe me ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës.
Në kuadër të hetimit, policia po kryen kontrolle në dy lokacione në Gloucestershire.
BBC-ja raporton se ushtari ishte i vendosur në kazermat Imjin, në Innsworth të Gloucestershire, të cilat shërbejnë si seli e Korpusit të Reagimit të Shpejtë të Aleancës Veriatlantike (ARRC).
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e ka cilësuar arrestimin si të rëndësishëm, duke thënë se rasti përfshin akuza për spiunazh, të cilat janë shqetësuese për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
“FBI-ja nuk ka tolerancë për askënd që shkel betimin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe veprimet e të cilit rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare dhe atë të partnerëve tanë”, ka deklaruar Patel.
Ndërkaq, zëvendëskomisionerja e policisë kundër terrorizmit në Londër, Vicki Evans, e ka cilësuar arrestimin si “domethënës”, duke theksuar se akuzat janë serioze dhe hetimet janë në vazhdim.
Ushtari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, po mbahet në një stacion policor në Londër. Sipas BBC-së, në bazë të Ligjit për Sigurinë Kombëtare, ai mund të mbahet në paraburgim deri në 14 ditë pa u ngritur zyrtarisht aktakuzë.
Gjeneral brigade Sean Stinchon, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, ka thënë se rasti dëshmon se kërcënimet e brendshme ndaj sigurisë janë reale dhe të vazhdueshme.
Policia britanike ka bërë të ditur se hetimi nuk ka lidhje me ndonjë hetim tjetër në zhvillim.