Wednesday / November 11 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Qeveria do të rishikojë metodat e parashikimit ekonomik nëse devijimet e mëdha përsëriten për 4 vite

Share Share Icon

Qeveria do të detyrohet të rishikojë metodat e parashikimit të rritjes ekonomike dhe treguesve buxhetorë nëse ato rezultojnë me devijime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme për të paktën katër vite radhazi.

Saktësia e parashikimeve do të vlerësohet nga një institucion i pavarur, ndërsa diferencat e rëndësishme me parashikimet e Komisionit Europian do të duhet të shpjegohen dhe dokumentohen.

Rregullat e reja përcaktohen në vendimin nr. 830, datë 3 nëntor 2026, të publikuar në Fletoren Zyrtare të 10 nëntorit, që synon përafrimin e kornizës buxhetore shqiptare me legjislacionin e Bashkimit Europian. Vendimi edhe pse hyn në fuqi pas botimit, efektet e tij do të fillojnë më 1 korrik 2029.

Kontrolli i parashikimeve do të kryhet nga Këshilli Fiskal, një institucion i ri publik i pavarur, krijimi i të cilit parashikohet në ligjin nr. 115/2026, të miratuar nga Kuvendi më 29 tetor. Këshilli do të ketë tre anëtarë, të emëruar nga Kuvendi, me mandat të zakonshëm gjashtëvjeçar. Për përbërjen e parë, mandatet do të jenë përkatësisht gjashtë, pesë dhe katër vjet.

Vendimi i ri përcakton se parashikimet makroekonomike dhe buxhetore, mbi të cilat mbështetet hartimi i buxhetit, do t’i nënshtrohen një “vlerësimi ex post periodik, objektiv dhe gjithëpërfshirës nga institucioni fiskal i pavarur”, të paktën një herë në vit, duke mbuluar një periudhë prej së paku katër vitesh radhazi.

Nëse vlerësimi konstaton devijime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në parashikimet makroekonomike për të paktën katër vite radhazi, Ministria e Financave duhet të marrë masat e nevojshme, “përfshirë rishikimin e metodave, modeleve dhe supozimeve të përdorura”. Masat duhet të publikohen, ndërsa rezultatet e vlerësimit të merren parasysh në parashikimet pasardhëse.

Këshilli Fiskal do të përdorë një metodologji publike për vlerësimin e devijimeve, ndërsa Ministria e Financave duhet t’i vërë në dispozicion parashikimet e mëparshme, supozimet dhe të dhënat faktike përkatëse.

Parashikimet e qeverisë shqiptare do të krahasohen gjithashtu me ato të Komisionit Europian dhe, kur është e përshtatshme, me vlerësimet e institucioneve të tjera të pavarura. Diferencat e rëndësishme duhet të shpjegohen dhe dokumentohen, ndërsa mospërputhjet me opinionet e Këshillit Fiskal duhet të argumentohen.

Vendimi specifikon edhe përmbajtjen e dokumenteve buxhetore, duke kërkuar paraqitjen e objektivave afatmesëm për deficitin, borxhin dhe balancën primare, krahas projeksioneve të të ardhurave dhe shpenzimeve sipas një skenari me politika të pandryshuara.

Për masat e propozuara fiskale, përfshirë reformat dhe investimet, kërkohet një përshkrim dhe vlerësim sasior i ndikimit të tyre në arritjen e objektivave buxhetorë afatmesëm.

Vendimi përcakton gjithashtu kërkesa për transparencën e financave publike, duke përfshirë raportimin mbi garancitë shtetërore, detyrimet e mundshme të buxhetit, veprimtarinë e shoqërive publike dhe ndikimin e lehtësive fiskale në të ardhurat e shtetit.

Një pjesë e këtyre treguesve publikohet tashmë nga Ministria e Financave. Vendimi specifikon kërkesat për raportimin dhe publikimin e tyre, përfshirë ndarjen e deficitit dhe borxhit sipas niveleve të qeverisjes, si dhe informacionin mbi rreziqet fiskale nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore./N.Maho

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore

Ndërsa gjysma e Europës ngrihet kundër klasës së saj politike, gjysma tjetër e vështron e hutuar. Protestat janë kthyer në një rutinë fundjave në p...

15 hours më parë 15 Min Lexim

Banka Botërore: Shqipëria ka 10 importues për çdo eksportues, raporti më i lartë në Ballkan

Shqipëria ka mesatarisht dhjetë kompani importuese për çdo kompani eksportuese, raporti më i lartë ndër pesë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të an...

16 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!