E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Taksistët dalin në protestë në Tiranë, kërkojnë uljen e kostove dhe kufizimin e licencave: Shtimi i numrit të taksive po rëndon të ardhurat tona

Punonjësit e transportit taksi kanë dalë sot në protestë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e problematikave me të cilat, sipas tyre, po përballen çdo ditë.

Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Ministrisë së Transportit dhe Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar se në mungesë të një reagimi konkret, protesta do të përshkallëzohet.

Sekretari i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Taksi në Shqipëri, Arjan Kazo, u shpreh se shtimi i numrit të mjeteve taksi, konkurrenca e pabarabartë, automjetet e palicencuara dhe rritja e kostove kanë rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të taksistëve dhe familjeve të tyre.

Sipas sindikatës, çmimi i lartë i karburantit, taksat, pagesat e parkimit dhe numri i madh i mjeteve në qarkullim po ulin të ardhurat e këtij sektori.

Reklamë

Mes kërkesave kryesore të taksistëve janë:

  • Respektimi i tarifave të taksimetrit dhe përcaktimi i kritereve për personat që ushtrojnë këtë shërbim.
  • Targat, pulla e Bashkisë dhe licenca të jenë në pronësi të personit që ushtron aktivitetin.
  • Largimi nga shërbimi i automjeteve që nuk janë të licencuara.
  • Ulja dhe stabilizimi i çmimit të karburantit, si dhe garantimi i cilësisë së tij.
  • Trajtimi me përparësi i shërbimit taksi nga organet e qarkullimit rrugor.
  • Përcaktimi i numrit të licencave në bazë të numrit të banorëve.
  • Subvencionimi i karburantit, duke qenë se transporti taksi konsiderohet prej tyre si shërbim publik.

Përfaqësuesit e sindikatës bëjnë me dije se kanë kërkuar më herët zgjidhjen e problematikave përmes dialogut, duke propozuar një tryezë të përbashkët me institucionet përgjegjëse, ku kanë qenë të përfshira Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkia e Tiranës dhe strukturat e policisë.

Megjithatë, ata shprehin pakënaqësi për mungesën e një përgjigjeje konkrete nga Bashkia e Tiranës lidhur me kërkesat e tyre.

Në deklaratën e tyre, sindikalistët paralajmërojnë se protesta do të vijojë dhe do të përshkallëzohet nëse nuk do të ketë një reagim nga institucionet.

Taksistët kanë paralajmëruar se ditën e hënë do të dalin sërish në protestë, këtë herë në Bulevard, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.