Kapiteneria e Portit të Vlorës njoftoi sot se për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike nga data 11-14 nëntor është ndaluar pajisja me leje nisjeje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës.
Sipas Kapitenerisë së Vlorës, nNë bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës gjatë datave 11-14 duke filluar nga ora 16:00 e datës 11 nëntor pritet erë në drejtimin jug-juglindje me forcë deri 7-8Bft, shpejtësi 20–35 m/s dhe lartësi dallgësh nga 2.00 deri në 4.50 metra në det të hapur, duke filluar nga ora 16:00 e datës 11 nëntor deri në orën 06:00 të datës 14 nëntor.
Me qëllim parandalimin e çdo rreziku apo situate emergjente për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria e Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 14 nëntor.


