Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të heqë dorë nga bojkoti i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe të rikthehet në tryezën e diskutimeve. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla prezantoi katër çështjet kryesore ku, sipas tij, duhet të përqendrohet reforma, duke paralajmëruar gjithashtu ndërhyrje të qeverisë përmes akteve nënligjore nëse nuk arrihet dakordësi për përfshirjen e administratës në zgjedhje.
Balla u ndal te depolitizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me anë të formulës 3-1-3, ku tre anëtarë të jenë jashtë propozimeve politike, ndërsa të tjerët të përfaqësojnë partitë politike.
Një tjetër çështje që, sipas tij, duhet të trajtohet është mbulimi i fushatave elektorale nga mediat, në përputhje me rekomandimet e raporteve të OSBE-së. Ndërsa pika e tretë lidhet me përfshirjen e administratës publike në zgjedhje, për të cilën Balla tha se nëse opozita nuk pranon ta adresojë përmes ligjit, qeveria do të ndërhyjë me akte nënligjore dhe udhëzime.
Shtylla e katërt është financimi i partive politike. Balla bëri të ditur se PS ka përgatitur një draft, i cili sipas tij është thuajse gati, ndërsa theksoi se për hartimin e tij do të merren parasysh edhe praktikat e vendeve me kushte të ngjashme me Shqipërinë.
Gjatë deklaratës, kreu i grupit parlamentar socialist kritikoi edhe sjelljen e disa deputetëve të opozitës në seancat parlamentare, duke iu referuar përdorimit të flakadanëve dhe hedhjes së bidonëve me ujë në drejtim të drejtuesit të seancës. Ai bëri dallimin mes deputetëve që i cilësoi “vandalë” dhe deputetëve që, sipas tij, duhet të angazhohen në procesin parlamentar.
Balla i kërkoi opozitës të reflektojë dhe të marrë pjesë në seancën e ardhshme për buxhetin, të cilin e cilësoi si më të madhin në historinë e vendit.
“Thirrja ime për PD-në është të heqin dorë nga bojkoti. Nuk flas për deputetë vandalë, por për deputetë normalë të PD-së. Ditën kur vjen në Kuvend, nxjerr nga xhepi flakadanë, qëllon me bidon drejtuesin e seancës. Në çdo parlament këto janë rregullat. Thirrje PD-së dhe opozitës që të reflektojnë. Mundësia e radhës është seanca për buxhetin. Buxheti më i madh në histori e meriton respektin që të jenë aty”, deklaroi Balla.
