Në jugperëndim të Turqisë, në brigjet e Egjeut, ndodhet një qytet i pazakontë, ku koha duket sikur ka ndalur më shumë se një shekull më parë. Kayaköy, i njohur dikur me emrin Levissi, është sot një fshat fantazmë me rreth 2 500 shtëpi prej guri, rrugica të ngushta, kisha dhe ndërtesa të braktisura, që dëshmojnë historinë e dhimbshme të një komuniteti të zhdukur.
I vendosur në një kodër në provincën Muğla, Kayaköy ishte në fillim të viteve 1920 një vendbanim i gjallë, me të paktën 10 mijë banorë, kryesisht të krishterë ortodoksë grekë. Shumë prej tyre merreshin me zejtari, tregti dhe prodhimin e këpucëve, ndërsa ruanin marrëdhënie relativisht paqësore me popullsinë myslimane turke të zonës.
Por lufta greko-turke, e përfunduar në vitin 1922, ndryshoi përgjithmonë fatin e këtij qyteti.
Në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e detyruar të popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë, mijëra banorë ortodoksë të Kayakoy u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin në Greqi. Në vend të tyre mbërritën familje myslimane turke nga Kavala, qytet që sot ndodhet në rajonin e Maqedonisë Lindore dhe Trakisë në Greqi.
Megjithatë, jeta në vendbanimin e ri nuk rezultoi ashtu siç e kishin imagjinuar të ardhurit. Një pjesë e madhe e tyre nuk u përshtatën me kushtet dhe mjedisin e Kayaköy, ndaj u larguan gradualisht. Kështu, qyteti mbeti pothuajse i braktisur dhe ndërtesat nisën të shembeshin me kalimin e viteve.
Vetëm disa familje turke me origjinë nga Greqia vendosën të qëndronin. Mes tyre ishte edhe familja e Aysun Ekiz, gjyshërit e së cilës u vendosën në këtë zonë. Sot, ajo mban një restorant të vogël pranë hyrjes së qytetit dhe shet bizhuteri të punuara me dorë për turistët.
Por pas këtij vendi turistik fshihet një histori e dhimbshme, e përcjellë brez pas brezi përmes kujtimeve familjare.
“Grekët qanin, sepse nuk donin të largoheshin”, tregon Aysun Ekiz, duke përcjellë rrëfimet e gjyshërve të saj për CNN.
Sipas këtyre dëshmive, disa familje ortodokse, të bindura se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ua besuan fëmijët miqve turq, me shpresën se do t’i merrnin sërish kur të riktheheshin. Por ky rikthim nuk ndodhi kurrë.
Sot, Kayaköy mbetet një dëshmi e gjallë e pasojave njerëzore të luftërave dhe vendimeve politike. Pas mureve të rrënuara, kishave të heshtura dhe shtëpive pa çati fshihet historia e mijëra njerëzve që u detyruan të linin pas jo vetëm pronat, por edhe jetën që kishin ndërtuar ndër breza.
