Shqipëria ishte ndër vendet me çmimet më të larta të energjisë elektrike në tregun me shumicë gjatë vitit 2025, duke regjistruar një mesatare prej 118.2 euro për megavatorë (MWh), rreth 14% më shumë se Greqia dhe 9.5% më shumë se Maqedonia e Veriut.

Të dhënat vijnë nga raporti i fundit i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), të cilin e disponon ekofin.al dhe që analizon integrimin e tregjeve europiane të energjisë dhe diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve.

Sipas raportit, çmimi mesatar në Shqipëri u rrit me 6.2 euro/MWh krahasuar me vitin 2024, ndërsa në Greqi rritja ishte vetëm 2.7 euro/MWh. Kjo do të thotë se diferenca ndërmjet dy tregjeve u zgjerua edhe më tej gjatë vitit të kaluar.

Në Greqi, çmimi mesatar i energjisë në tregun e një dite përpara ishte 103.6 euro/MWh, ose 14.6 euro më i ulët se në Shqipëri. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi çmimi ishte 107.9 euro/MWh, në Bullgari 106.9 euro/MWh dhe në Mal të Zi 113.3 euro/MWh.

Kosova rezultoi me çmimin më të lartë ndër këto tregje, 118.5 euro/MWh, vetëm 0.3 euro mbi Shqipërinë.

ACER evidenton se vendet e Ballkanit Perëndimor që bëjnë pjesë në Komunitetin e Energjisë mbetën ndër tregjet më të shtrenjta të rajonit, me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi që regjistruan çmime rreth 10–15 euro/MWh më të larta se vendet fqinje të Bashkimit Evropian.

Rritja e çmimeve gjatë vitit 2025 ishte e përgjithshme në rajon, por me ritme të ndryshme. Mali i Zi regjistroi rritjen më të madhe, prej 14.8 euro/MWh, ndërsa në Kosovë çmimi u rrit me 4.5 euro/MWh, në Maqedoninë e Veriut me 5.5 euro/MWh dhe në Serbi me 6.1 euro/MWh.

Tregjet e pabashkuara, diferenca të mëdha çmimesh

Një nga problematikat që evidenton ACER është mungesa e integrimit të plotë të tregjeve të energjisë në Evropën Juglindore, e cila ndikon në ruajtjen e diferencave të çmimeve ndërmjet vendeve.

Në tregjet e Bashkimit Evropian që janë tashmë të bashkuara, çmimet rezultojnë të përafërta në një pjesë të madhe të orëve të vitit. Ndërsa në kufijtë ku tregjet nuk janë bashkuar, diferencat mbeten më të mëdha.

Shqipëria paraqet një kontrast të dukshëm në këtë drejtim. Me Kosovën, ku funksionon tregu i përbashkët i energjisë, çmimet kishin një diferencë më të vogël se 1 euro/MWh në 99% të orëve gjatë vitit 2025. Në kufirin me Malin e Zi, kjo përputhje u regjistrua vetëm në 4% të orëve, ndërsa me Greqinë në vetëm 3%.

Agjencia evropiane shpjegon se, kur tregjet nuk janë të bashkuara, shkëmbimet e energjisë ndërmjet vendeve planifikohen përpara se të njihen çmimet përfundimtare për ditën pasardhëse.

Kjo mënyrë tregtimi mund të pengojë përdorimin efikas të kapaciteteve ndërkufitare dhe të krijojë situata kur energjia nuk shkëmbehet në drejtimin ekonomikisht më të favorshëm.

Sipas ACER, integrimi i mëtejshëm i tregjeve dhe rritja e kapaciteteve të disponueshme për tregtinë ndërkufitare mund të ndihmojnë në afrimin e çmimeve.

Të dhënat u referohen çmimeve të tregut me shumicë dhe jo tarifave të energjisë që paguajnë drejtpërdrejt familjarët apo bizneset. Megjithatë, ato japin një tregues të rëndësishëm të kostove dhe konkurrueshmërisë së tregut shqiptar të energjisë në raport me vendet fqinje. /Ekofin.al

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb