
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për Reformën Zgjedhore.
Por megjithatë, Balla tha se nuk do të ketë zgjatje afati dhe reforma do të miratohet vetëm me votat e socialistëve nëse opozita nuk reflekton.
“Ju jeni dëshmitarët më të shpeshtë të komunikimeve tona publike, në të cilat janë shprehur angazhimet për realizimin e një reforme zgjedhore.
Sa i përket reformës zgjedhore, çështja e parë është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar gjashtë vjet dhe këtë reformë mund ta kishim realizuar. Nuk mund të vazhdojmë me një sistem ku PS-ja dhe PD-ja kanë kontrollin e plotë të procesit dhe ku çdo parti ka nga një përfaqësues.
Çështja e dytë lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje. Edhe kjo është një çështje që duhet adresuar. Siç tha edhe Gjiknuri, nëse opozita nuk pranon ta trajtojë, qeveria do të ndërhyjë përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Çështja e tretë është financimi i partive politike. Për këtë çështje, tashmë nuk kemi fjalë. Unë jam këtu që nga viti 2017 dhe një draft është gati që prej atij viti. Do të mund t’ju thosha sot se drafti është pothuajse gati. Nuk do të shpikim rrotën, por do të marrim shembujt më të mirë nga shtetet e tjera, të cilët përshtaten me situatën aktuale në Shqipëri. Për këtë draft ka pasur edhe një vlerësim nga Komisioni i Venecias. Nuk ka ekspertizë më të mirë se ajo e Komisionit të Venecias.
Megjithatë, PD-ja prej një muaji ka hyrë në një rrugë pa kthim dhe unë i bëj thirrje të heqë dorë nga bojkoti dhe të rikthehet në jetën normale parlamentare. Kur vjen në Kuvend, nxjerr flakadanë dhe godet me shishe kryetarin e Kuvendit, përjashtohesh. Kjo ndodh në çdo shtet.
U bëj thirrje të reflektojnë dhe të rikthehen që në seancën e ardhshme, ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i cili është më i madhi në historinë e vendit, me një vlerë prej 10 miliardë eurosh.
TVSH-ja ulet nga 20% në 6%, një masë që do të ketë ndikim të madh.
Data 30 nëntor është afati i fundit për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Nuk do të ketë shtyrje. Për ligjin e financimit të partive nuk thuhet askund se ai duhet të miratohet me konsensus. Konsensusi kërkon 84 vota në Kuvend dhe ne i kemi këto 84 vota. Pas datës 30 nëntor, ne do ta miratojmë, duan apo nuk duan ata. Askush nuk mund ta ndalë agjendën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Unë ende shpresoj se do të ketë reflektim nga PD-ja, si forca më e madhe opozitare. Por duhet të kuptoni se ligji për financimin e partive duhet të miratohet nga Parlamenti brenda Krishtlindjeve. Nëse dëshironi, ejani në zyrën time dhe do t’jua prezantoj draftin.
Imagjinoni tani, Sali Berisha vjen dhe merr pamjen e një studenti 82-vjeçar, për të krijuar përshtypjen se po përfaqëson protestën. Këto lojëra me ne nuk i bëjnë dot”, tha Balla.
