Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri Sofia Moreira de Sousa, e cila prezantoi gjetjet e Raportit të Zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2026. Në fokus të diskutimeve ishte fuqizimi i institucioneve të pavarura, ndërsa Shabani ngriti shqetësimin për rritjen me një të tretën të ankesave të qytetarëve krahasuar me një vit më parë.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për nevojën e shtimit të burimeve njerëzore dhe financiare, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe rolin e Avokatit të Popullit në procesin e integrimit evropian.
Moreira de Sousa theksoi se edhe Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026 evidenton nevojën për mbështetjen dhe fuqizimin e Avokatit të Popullit. Raporti konstaton se zyrat rajonale të Avokatit të Popullit ndikohen nga mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare dhe kërkon që këto mungesa të adresohen nga Kuvendi.
Shabani propozoi që zbatimi i rekomandimeve të institucioneve të pavarura të jetë pikë e përhershme në dialogun e Bashkimit Evropian me qeverinë shqiptare për kapitullin 23. Në takim u diskutua edhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, fushë ku raporti e vlerëson zbatimin si sfidues.
Gjithashtu, u diskutua për perspektivën e të rinjve në një Shqipëri evropiane, për rëndësinë e ndërtimit të institucioneve demokratike, si dhe për përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadorja e BE-së theksoi se Bashkimi Evropian e shikon Avokatin e Popullit si partner kryesor në mbikëqyrjen institucionale dhe në fuqizimin e llogaridhënies demokratike, dhe ofroi mbështetje të vazhdueshme për rritjen e rolit të institucionit në kuadër të integrimit evropian.







Komente
Komento