Alarm për bombë, mbyllen 300 shkolla në Itali: Lëndë plasëse edhe në makinën e Melonit

Të paktën 300 shkolla në Itali u mbyllën dhe nxënësit u evakuuan këtë të mërkurë pasi morën kërcënime për bomba, sipas ministrit të Arsimit të vendit .
Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha se 300 shkolla u prekën nga kërcënimet me bomba , duke shtuar se numri mund të rritet.
Burime qeveritare i thanë medias lokale se mesazhi kërcënues që morën ishte nënshkruar “Mikhail Andropov, kreu i mbretërisë së Misogynystanit”.
Në email përmendet gjithashtu vendosja e një bombe në makinën e kryeministres italiane Giorgia Meloni .
“Kemi ardhur për t’ju shfarosur. Do të kryejmë gjenocid kundër italianëve”, thuhet në emailin e nënshkruar nga Mikhail Antropov, udhëheqës i Vilajetit të Misoginistanit. Emaili përshkruan një “pajisje të fuqishme shpërthyese” të lënë në ndërtesë brenda një qeseje plastike “me një shkrepëse të telekomandës”. Mesazhi përmban gjithashtu një kërcënim kundër kryeministrit. “Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministrit tuaj”, shkruan dërguesi.
“Pas një alarmi për bombë në të gjithë vendin, dëshirojmë t’ju informojmë se të gjithë nxënësit janë dërguar në një vend të sigurt dhe mbeten nën mbikëqyrjen e stafit mësimdhënës”, tha një shkollë në Romë në një deklaratë për prindërit.
Policia italiane po heton rastin, tha një zëdhënës i Policisë së Romës.
Alarmi i sigurisë erdhi mes shqetësimeve në rritje në Evropë në lidhje me kërcënimet e të ashtuquajturës “luftë hibride”, të cilat kanë synuar supermarketet, bankat e gjakut, trafikun ajror dhe stacionet televizive.




