
Elseid Hysaj ka hyrë zyrtarisht në historinë e futbollit shqiptar. Mbrojtësi kuqezi është bërë futbollisti i parë që arrin kuotën e 100 ndeshjeve me fanellën e Kombëtares, një rekord historik për përfaqësuesen shqiptare.
Për këtë arritje të veçantë ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë momentin e dorëzimit personalisht të medaljes dhe kapeles simbolike të UEFA-s për futbollistin.
“Kënaqësi t’i dorëzoja personalisht medaljen dhe kapelen simbolike të UEFA-s, në nder të këtij rekordi historik. I pari kuqezi që arrin 100 ndeshje me Kombëtaren! Urime, Elsi! Mirënjohje për gjithçka ke dhënë dhe vazhdon t’i japësh skuadrës sonë. Zakonisht urojmë edhe 100 ditëlindje, por ty në këtë rast të uroj edhe 100 ndeshje të tjera me Kombëtaren”, shkruan Duka.
Hysaj ka qenë prej vitesh një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke përfaqësuar kuqezinjtë në kompeticione të rëndësishme, përfshirë edhe Kampionatin Europian.
Me 100 paraqitje në fanellën kuqezi, mbrojtësi shkruan emrin në librat e historisë së futbollit shqiptar, duke vendosur një rekord që do të jetë një pikë referimi për brezat e ardhshëm.