Nuk ia uroj paraburgimin asnjë politikani, jo se janë mbi të tjerët, por sepse paraburgimi nuk duhet të kthehet në një pengesë për konkurrencën politike. Aq më tepër kur bëhet fjalë për politikanë me përmasa kombëtare, të cilët përbëjnë një kapital të rëndësishëm politik për vendin. Nuk është e lehtë të bëhesh i tillë. Duhet të kesh personalitet të fortë, të jesh karizmatik, të dish të ndërtosh aleanca e të mbash të bashkuar një shumësi interesash që përplasen në luftën për pushtet, të kesh vizion e largpamësi, të dish të marrësh vendime të vështira dhe të frymëzosh njerëzit që të ndjekin. Mbi të gjitha, duhet të dish të bashkosh edhe përtej kampit tënd politik. Këto cilësi nuk krijohen brenda një dite apo një viti, por kërkojnë punë dhe përvojë që ndërtohen gjatë së paku një dekade.

Kjo nuk do të thotë se politikanët nuk duhet të hetohen, madje nëse u provohet fajësia le të dënohen me burg. Por një nga problemet më të mëdha që kishte sistemi i drejtësisë përpara një dekade ishte fakti se politikanët e niveleve të larta pothuajse nuk hetoheshin fare. Një prokurori me shumë kompetenca të përqendruara te Prokurori i Përgjithshëm, e kishte të vështirë të niste dhe të çonte përpara hetime serioze ndaj zyrtarëve të lartë. Ndërhyrja hierarkike dhe mundësia për të bllokuar hetimet e bënin të vështirë këtë proces.

Një nga dosjet që tregoi më së miri dështimin e sistemit të atëhershëm ishte ajo e Rrugës së Kombit. Ishte një çështje e nisur mbi bazën e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili, në një vendimmarrje jo të zakonshme për kohën, referoi në prokurori ministrin e Transporteve, duke evidentuar një dëm ekonomik të llogaritur në mbi 230 milionë euro. Megjithatë dosja u zvarrit aq shumë sa tejkaloi afatet e hetimit dhe përfundoi e mbyllur pa u çuar në gjykim, duke u bërë kështu një nga simbolet e dështimit të hetimit të zyrtarëve të lartë.

Aq i bindur ishte ministri që nuk do dënohej, saqë sa herë pyetej nga gazetarët deklaronte se gjatë ndërtimit të asaj rruge kishte zbatuar pikë për pikë legjislacionin anglez të prokurimit publik. Edhe sikur të mos kishte asnjë cent dëm ekonomik, vetë fakti që ministëri pretendonte se kishte zbatuar një legjislacion të huaj në vend të atij shqiptar, përbënte një arsye të mjaftueshme për t'u hetuar për shpërdorim detyre.

Pra, beteja më e madhe përpara reformës në drejtësi dhe krijimit të SPAK-ut e GJKKO-së nuk ishte për arrestimin dhe paraburgimin e politikanëve, por për hetimin e tyre i cili në shumë raste as nuk niste. Pas reformës duket sikur kemi kaluar në ekstremin tjetër. Sot shohim politikanë që arrestohen dhe mbahen në paraburgim deri në afatet maksimale që njeh Kodi i Procedurës Penale. Kjo ndodh edhe për vepra të dyshuara që nuk janë kryer në kushtet e flagrancës edhe pse mungesa e flagrancës nuk e përjashton paraburgimin. Ka pasur raste kur masat e sigurimit janë vendosur për çështje që lidhen me ngjarje të ndodhura vite më parë, madje edhe për çështje që ishin hetuar njëherë dhe për të cilat gjykata nuk kishte konstatuar shkelje.

Sot, nëpër protestat e rrugës dëgjojmë rëndom atë shprehjen disi jakobine: “Rama n'burg, Berisha n'burg”. Natyrisht, e thonë ata që duan të faktorizohen si parti përtej partive tradicionale historike. Kjo mbetet një retorikë mjaft ekstreme, sepse nuk i takon rrugës të përcaktojë fatin penal të njërit apo tjetrit politikan. Por fatkeqësisht, të njëjtën retorikë e dëgjojmë shpesh edhe nga kupola drejtuese e PD-së, vetëm se në këtë rast shënjestra janë politikanë të mazhorancës.

Personalisht, sado antipati politike të kem ndaj Berishës, momenti kur ai shkoi në arrest shtëpie nuk më krijoi asnjë ndjesi ngazëllimi. Një politikan i nivelit të tij do duhej të hetohej në gjendje të lirë. Kjo nuk ndryshon aspak bindjet e mia për përgjegjësinë e tij politike për çështje të shumta që nisin nga rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës në vitin 1995 e deri në vitin 2013 kur la pushtetin. Por këto janë çështje që duhen hetuar dhe gjykuar sipas ligjit, jo përmes paraburgimit si zëvendësim i gjykimit.

Ideja se PD-ja do hynte në zgjedhjet parlamentare me një lider në arrest shtëpie, pra me një lider që nuk do ishte në terren dhe të zhvillonte fushatën siç kishte bërë gjithmonë, nuk të krijonte një ndjesi të mirë. Sado inat ta kesh politikisht Berishën, prania e tij përballë në fushën e lojës ta rrit adrenalinën dhe e bën garën më të fortë e më motivuese. Këtë ndjesi e ka edhe elektorati socialist, sepse Berisha është një kundërshtar që ngjall emocione të forta kundër tij. Pikërisht kjo e bën një kundërshtar, me të cilin dëshiron të përballesh politikisht.

E njëjta gjë duhet thënë edhe për elektoratin opozitar kur bëhet fjalë për Ramën. Kur ata thonë “Rama n'burg”, duket sikur duan të pastrojnë fushën e garës politike nga njëri prej politikanëve që i motivon më shumë për të punuar fort. Nuk e kuptoj përse kërkojnë përballje të lehta, kur ta mundësh Ramën në zgjedhje do të ishte një arsye madhore për ta quajtur fitoren historike.

Në politikë mbahen mend përballjet e elefantëve. Ato krijojnë rivalitete, prodhojnë histori dhe u japin kuptim fitoreve. Të mundësh një kundërshtar të fortë është më e vështirë, por edhe më domethënëse sesa të fitosh kur ai nuk është në fushën e lojës.

Prandaj do të doja që politikanët të hetoheshin në gjendje të lirë për aq sa e lejojnë rrethanat dhe nëse u provohet fajësia, të dënoheshin. Por do doja gjithashtu që kundërshtarët e tyre politikë të kishin ambicien t'i mundnin në zgjedhje, jo t'i shihnin paraprakisht pas hekurave. Për këtë shërben demokracia, që kundërshtarin ta mundësh me votë, jo ta heqësh nga loja./Tema