Të paktën 300 shkolla në Itali janë evakuuar këtë të mërkurë, pasi kanë marrë të njëjtin mesazh paralajmërues për vendosjen e bombave, bëri të ditur ministri i Arsimit.
Alarmi i sigurisë vjen në një kohë kur në Europë po rriten shqetësimet për kërcënimet e ashtuquajtura të luftës hibride, të cilat kanë shënjestruar supermarkete, banka gjaku, trafikun ajror dhe televizionet.
Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi për televizionin La7 se nga alarmet për bombë janë prekur 300 shkolla, duke shtuar se numri mund të rritet më tej.
“Pas një alarmi për bombë në shkallë kombëtare, dëshirojmë t’ju informojmë se të gjithë nxënësit janë dërguar në një zonë të sigurt dhe ndodhen nën mbikëqyrjen e personelit mësimor”, thuhej në një mesazh të dërguar nga një shkollë në Romë për prindërit.
Sipas një burimi qeveritar të njohur me çështjen, e-maili ishte nënshkruar nga “Mikhail Andropov, udhëheqësi i Vilayat të Misoginistanit”.
Policia italiane ka nisur hetimet për këtë çështje, konfirmoi një zëdhënës i policisë së Romës.