E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 49 minuta më parë
Politikë

Balliu: 950 mijë euro nga AKSHI drejt kompanive të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit, kërkojmë hetim të plotë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur akuza të reja lidhur me aferën e AKSHI-t, duke pretenduar se një pjesë e parave publike të përfituara përmes tenderave janë transferuar drejt kompanive në Gjermani, të lidhura me vëllezërit e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Në një deklaratë për mediat, Balliu pretendoi se bëhet fjalë për një shumë totale prej 950 mijë eurosh, nga të cilat 500 mijë euro janë transferuar në dy këste drejt një kompanie ku, sipas tij, punon njëri prej vëllezërve të Hysenit. Ndërsa 450 mijë euro të tjera, sipas deputetit demokrat, janë nisur drejt një kompanie tjetër gjermane, të përfaqësuar nga vëllai tjetër i saj, por transferta është anuluar.

Balliu paraqiti këtë skemë si një gjurmë të parave që nisin nga tenderat e AKSHI-t, kalojnë përmes kompanive të lidhura me Ergys Agasin dhe përfundojnë në kompani në Gjermani, të cilat, sipas tij, kanë lidhje me familjen e Vlora Hysenit.

Deputeti i PD-së u ndal edhe te pozita ligjore e ish-drejtueses së SHISH-it, e cila ndodhet në arrest shtëpie, duke kërkuar që ajo të mbahet në arrest me burg. Ai e cilësoi çështjen si më shumë sesa një aferë korrupsioni, duke ngritur akuza për përfshirjen e institucioneve shtetërore në mekanizma kriminalë.

Reklamë

Balliu akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka mbrojtur Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin, ndërsa kërkoi që SPAK të hetojë të gjitha faktet dhe provat pa standarde të dyfishta.

Në përfundim, deputeti demokrat përsëriti kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie tranzitore, e cila sipas tij duhet të garantojë çlirimin e institucioneve, rikthimin e sigurisë kombëtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira.

Pjesë nga deklarata e Klevis Balliut

Afera e AKSHI-t, një nga më skandalozet në vjedhje dhe më brutalet në ilegjitimitet, po rezulton ndër të tjera edhe një skemë e transferimit të parave publike përmes kompanive të ndërmjetme. Një rast i tillë e çon skemën në Gjermani, te kompani të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit, ish-drejtoreshës së SHISH-it.

500 mijë euro janë transferuar, në dy këste, drejt një kompanie ku punon vëllai i Vlora Hysenit. Ndërkohë, 450 mijë euro të tjera janë nisur drejt një kompanie tjetër gjermane, të përfaqësuar nga vëllai tjetër i saj, por transferta është anuluar.

Në total, 950 mijë euro të destinuara drejt kompanive të lidhura me familjen e Vlora Hysenit!

Kjo është gjurma e parave: nga tenderat e AKSHI-t, te kompanitë e lidhura me Ergys Agasin dhe më pas drejt kompanive në Gjermani të lidhura me vëllezërit e Vlora Hysenit.

Dhe ndërkohë që dalin fakte të reja, Vlora Hyseni vazhdon të qëndrojë në arrest shtëpie, në vend që të mbahet në arrest me burg!

Kjo nuk është thjesht një aferë korrupsioni. Kjo është dëshmi e rënies së shtetit!

Kur Shërbimi Informativ i Shtetit vihet në shërbim të krimit, kur asetet kryesore të sigurisë kombëtare dalin në bursën e zezë të lidhjeve kriminale, kur institucionet kthehen në instrumente në shtratin e krimit dhe kur paratë e taksave u vidhen qytetarëve përmes mekanizmave të shtetit, atëherë nuk kemi shtet, por organizatë kriminale.

Partia Demokratike dhe Sali Berisha i kanë denoncuar prej vitesh aferat e Vlora Hysenit dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin. Edi Rama i mohonte dhe i relativizonte. Sot faktet na japin të drejtë!

Rama i mbronte atëherë dhe i mbron edhe sot, sepse në qendër të këtij mekanizmi qëndron vetë. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni nuk mund të vepronin jashtë sistemit që drejton Edi Rama.

Partia Demokratike kërkon me forcë që ligji i SPAK të mos shohë nga Maliqi i qeverisë. Po bëhen disa raste kur dosje voluminoze me fakte dhe prova shpërfillen dhe kriminelët ‘shkojnë me leje’ me firmën e Prokurorisë Speciale.

Ky standard i dyfishtë është alarmant.

Ajo që studentët dhe protestuesit kërkojnë prej disa muajsh është çka Partia Demokratike mbështet dhe kërkon me forcë: një qeveri tranzitore, e cila të garantojë çlirimin e institucioneve, rikthimin e sigurisë kombëtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira.”

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.