Kush është Zef Preldakaj, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër! Në Greqi ekzekutoi dy persona

Një 44-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Greqi, pasi përdorte identitet të rremë për t’iu shmangur drejtësisë. Bëhet fjalë për Zef Preldakajn, alias Fran Preldakaj, i cili në shtetin grek përdorte gjeneralitetet Nikolin Pali, duke pasur të ndryshuar edhe datëlindjen.
Arrestimi u krye në kuadër të një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Interpol Tiranës, Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit dhe autoriteteve policore greke.
Sipas Policisë së Shtetit, identifikimi i 44-vjeçarit u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore.
Preldakaj është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burgim për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Shtoj i Vjetër, ngjarje e ndodhur në vitin 2002, gjatë një grabitjeje me armë.
Sipas hetimeve, 44-vjeçari kishte rolin e mbulimit dhe sigurimit të veprimeve të dy bashkëpunëtorëve të tij, A. N. dhe B. D., të cilët shkuan në subjektin e dy vëllezërve për të grabitur xhiron ditore. Gjatë ngjarjes, njëri prej autorëve qëlloi me armë ndaj dy vëllezërve, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Pas krimit, Preldakaj u largua së bashku me bashkëpunëtorët.
Por ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera në Greqi. Në vitin 2020, autoritetet greke e kanë akuzuar për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase në Korinth, trupat e të cilëve u gjetën në një automjet.
Gjithashtu, sipas policisë, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për grabitje me armë, shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit, si dhe posedim të lëndëve narkotike.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për dokumentimin e plotë të përfshirjes së tij në veprimtaritë kriminale dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e tij në Shqipëri.




