Të paktën 300 shkolla në Itali evakuohen pas kërcënimeve për bomba përmes emailit

Të paktën 300 shkolla në Itali janë evakuuar të mërkurën, pasi kanë pranuar të njëjtin mesazh kërcënues për vendosjen e bombave, ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara.
Alarmi i sigurisë vjen në një kohë kur në Evropë po shtohen shqetësimet për kërcënimet e ashtuquajtura të luftës hibride, të cilat kohët e fundit kanë shënjestruar supermarkete, banka gjaku, kontrollin e trafikut ajror dhe transmetues televizivë.
Valditara deklaroi për televizionin La7 se kërcënimet dyshohet të jenë mashtrime, ndërsa paralajmëroi se numri i shkollave të prekura mund të rritet, transmeton Telegrafi.
“Pas një alarmi për bomba në nivel kombëtar, dëshirojmë t’ju informojmë se të gjithë nxënësit janë dërguar në një zonë të sigurt dhe po qëndrojnë nën mbikëqyrjen e stafit mësimor”, thuhej në një njoftim të një shkolle në Romë, dërguar prindërve përmes një aplikacioni të komunikimit.
Ministri Valditara tha se numri i madh i institucioneve të prekura tregon se kërcënimi ka pak besueshmëri.
Sipas një kopjeje të mesazhit të parë nga agjencia Reuters, emaili ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilayat of Misoginistan”.
I njëjti person, i cili pretendon se qëndron pas kërcënimeve, kishte marrë përgjegjësinë edhe për mesazhe të ngjashme të dërguara të premten në redaksitë e mediave në Irlandë dhe Bullgari.
Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur rastin, ka konfirmuar një zëdhënës i policisë së Romës. /Telegrafi/



































