BE-ja synon t’i japë fund reklamave të fshehta nga influencerët, gjoba deri në 6% të xhiros globale

Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë të re masash për të kufizuar reklamat e fshehta në rrjetet sociale dhe praktikat tregtare që mund të manipulojnë konsumatorët. Sipas propozimit të ri, influencerët do të detyrohen të bëjnë të qartë kur promovojnë produkte apo shërbime kundrejt pagesës ose përfitimeve të tjera, ndërsa kompanitë që shkelin rregullat mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros së tyre vjetore globale.
Masat janë pjesë e projektligjit Digital Fairness Act (DFA), përmes të cilit Brukseli synon të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve në ekonominë digjitale. Një nga objektivat kryesore është që përmbajtjet e sponsorizuara të mos paraqiten më si rekomandime spontane apo përvoja personale të krijuesve të përmbajtjes.
Sipas propozimit, influencerët që reklamojnë një produkt ose shërbim në këmbim të pagesës duhet të informojnë qartë ndjekësit për natyrën tregtare të publikimit. Etiketime të përgjithshme apo të vështira për t’u dalluar nuk do të konsiderohen të mjaftueshme. Në përmbajtje duhet të përdoren shprehje të qarta, si “reklamë” ose “bashkëpunim tregtar”, të vendosura në mënyrë të dukshme dhe të kuptueshme për audiencën.
Detyrimi nuk do të kufizohet vetëm te bashkëpunimet që paguhen me para. Në të njëjtat rregulla do të përfshihen edhe rastet kur influencerët marrin produkte falas, ftesa, udhëtime, akomodim apo përfitime të tjera në këmbim të promovimit.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve. Propozimi synon të ndalojë nxitjen e drejtpërdrejtë të të miturve për të blerë produkte, si dhe praktikat përmes të cilave ata nxiten të bindin prindërit apo familjarët të kryejnë blerje të caktuara.
Gjithashtu, do të kufizohet reklamimi i produkteve të papërshtatshme ose të rrezikshme për fëmijët, si dhe promovimi i produkteve, reklamat e të cilave janë të ndaluara nga legjislacioni evropian apo kombëtar.
Përgjegjësia për transparencën nuk do të jetë vetëm e influencerëve. Edhe kompanitë, markat dhe agjencitë që organizojnë fushatat reklamuese do të duhet të sigurohen që përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale të respektojnë rregullat e reja.
Paketa e Komisionit Evropian shkon përtej reklamave në rrjetet sociale. Ajo parashikon gjithashtu kufizime për reklamat e personalizuara që synojnë të miturit dhe personat vulnerabël, si dhe masa kundër përdorimit të të dhënave personale për të ofruar çmime më të larta bazuar në karakteristikat apo gjendjen e konsumatorit.
Në fokus janë edhe funksionet digjitale që nxisin përdorimin e tepruar të platformave, si riprodhimi automatik i videove, njoftimet e panevojshme dhe kujtesat e përsëritura. Përdoruesit duhet të kenë mundësi të çaktivizojnë funksione të tilla, ndërsa kompanitë duhet t’i projektojnë shërbimet duke marrë parasysh mbrojtjen e konsumatorëve.
Rregulla të veçanta parashikohen edhe për videolojërat, ku synohet të kufizohen për të miturit mekanizmat “pay-to-win” dhe “pay-to-progress”, që u mundësojnë lojtarëve të blejnë avantazhe ose të përshpejtojnë përparimin në lojë përmes pagesave shtesë.
Ndër të tjera, Komisioni kërkon që anulimi i abonimeve digjitale të bëhet më i thjeshtë, duke shmangur situatat kur regjistrimi në një shërbim është i lehtë, por ndërprerja e tij shoqërohet me pengesa. Masa të tjera synojnë të garantojnë transparencë për periudhat e provës falas që kthehen automatikisht në abonime me pagesë dhe për rinovimet automatike.
Për shkeljet më të rënda dhe në shkallë të gjerë, gjobat mund të arrijnë deri në 6% të xhiros vjetore globale të kompanisë. Komisioni synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin mes autoriteteve kombëtare të mbrojtjes së konsumatorëve dhe të kërkojë që kompanitë me seli jashtë BE-së të caktojnë një përfaqësues ligjor brenda territorit të Unionit.
Sipas vlerësimeve të publikuara nga Komisioni Evropian, zbatimi i masave të reja mund t’u sjellë konsumatorëve përfitime ekonomike deri në 13.7 miliardë euro në vit.
Megjithatë, Digital Fairness Act është ende një propozim legjislativ dhe duhet të shqyrtohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian. Teksti përfundimtar do të përcaktohet pas negociatave mes institucioneve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




