Helikopterët e El Salvadorit godasin me raketa bazën e një prej bandave më të rrezikshme në Haiti, të paktën 20 të vrarë

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka publikuar pamje të një operacioni ushtarak në Haiti, ku helikopterë luftarakë kanë goditur me raketa një ndërtesë që shërbente si bazë e bandës famëkeqe “400 Mawozo”. Sulmi u krye në zonën Croix-des-Bouquets, në lindje të kryeqytetit Port-au-Prince. Sipas raportimeve, të paktën 20 persona kanë mbetur të vrarë, megjithëse ky bilanc nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Objektiv i operacionit ishte banesa dhe qendra operative e Wilson Joseph, i njohur me nofkën “Lanmò San Jou”, drejtuesi i bandës kriminale. Në pamjet 48-sekondëshe të publikuara nga Bukele në platformën X shihen të paktën tre helikopterë me shenjat e El Salvadorit, të cilët kryejnë disa kalime mbi ndërtesë dhe lëshojnë raketa. Sipas presidentit salvadorian, shumica e anëtarëve të bandës u larguan nga zona pa rezistencë, ndërsa vetë Joseph nuk ndodhej në ndërtesë gjatë sulmit dhe nuk u arrestua.
Operacioni u zhvillua më 8 nëntor, sipas gazetës “Miami Herald”, nga policia e Haitit me mbështetjen e forcave ushtarake të El Salvadorit. Ndërhyrja erdhi pas një shkëmbimi të pazakontë mes Bukeles dhe një përdoruesi të rrjetit X, i cili i kishte kërkuar presidentit të shkatërronte banesën e drejtuesit të bandës. “Na jepni adresën e saktë dhe do ta shkatërrojmë”, ishte përgjigjur Bukele, ndërsa më 10 nëntor njoftoi: “E mbajtëm premtimin”.
Prania ushtarake e El Salvadorit në Haiti është shtuar pas zhdukjes së katër teknikëve salvadorianë të helikopterëve më 18 tetor, pas një sulmi të armatosur në një periferi të kryeqytetit. Bukele urdhëroi dërgimin e më shumë se 2 mijë ushtarëve, fillimisht për gjetjen e personave të zhdukur, por më pas operacionet u zgjeruan edhe kundër grupeve të organizuara kriminale. Banda “400 Mawozo” konsiderohet ndër më të fuqishmet në Haiti dhe është e njohur për rrëmbime e zhvatje. Në vitin 2021, ajo rrëmbeu 17 misionarë, mes tyre 16 amerikanë dhe një kanadez.
Ndërhyrja ushtarake ka ngritur pikëpyetje për bazën ligjore të pranisë së trupave salvadoriane në Haiti, pasi shumica e tyre nuk janë pjesë e forcës ndërkombëtare të mbështetur nga OKB-ja. Amnesty International u ka kërkuar të dyja qeverive të bëjnë publike marrëveshjen për dislokimin e trupave dhe të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, presidenti i Republikës Dominikane, Luis Abinader, ka shprehur mbështetjen për operacionet, duke konfirmuar se vendi i tij ofron ndihmë logjistike dhe informacione.




