Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK-ut, pak para orës 10:00, ku është marrë në pyetje për rreth një orë në kuadër të një hetimi për “korrupsion në zgjedhje”.
Burime pranë SPAK-ut bëjnë me dije se Mila është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Pas daljes nga prokuroria, ajo nuk pranoi të tregonte arsyen konkrete të thirrjes, duke iu referuar sekretit hetimor.
“Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf t’i deklaroni. Vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike”, deklaroi Mila, përcjell A2 CNN.
E pyetur nëse dëshmia e saj kishte lidhje me zgjedhjet në Elbasan, deputetja nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi këtë mundësi, por akuzoi opozitën se ka hedhur baltë ndaj saj.
“Jam si person në dijeni. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim. Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time dhe kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë”, tha ajo.
Mila qëndroi vetëm pak minuta para mediave, duke thënë se duhej të kthehej në Elbasan për festën e Çlirimit. Ajo u shpreh se do të paraqitet sërish në SPAK sa herë që t’i kërkohet.
“Sa herë SPAK-u dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë, edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, deklaroi deputetja.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Sara Mila mori rreth 18 mijë vota, duke u renditur si kandidatja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Ndërkohë, opozita e ka akuzuar atë për lidhje me Suel Çelën.
Në dosjen e mbërritur në SPAK nga Prokuroria e Elbasanit po hetohen dyshimet për përfshirjen e disa zyrtarëve vendorë në favorizimin dhe dhënien e ndihmës ekonomike për individë të caktuar, në këmbim të votave për Partinë Socialiste.





