
Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të mërkurë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 50-vjeçarit Robert Duka, i njohur edhe si Albert Duka, i akuzuar për grabitjen me armë të dy bankave të nivelit të dytë në Tiranë.
I arrestuari akuzohet se ka marrë rreth 120 mijë euro në total nga dy ngjarjet kriminale, të cilat kanë ndodhur pesë muaj larg njëra-tjetrës, duke ndjekur të njëjtën skemë.
Robert Duka dyshohet se kreu dy grabitjet më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, duke përdorur një skemë të ngjashme. Në të dyja rastet, ai ka hyrë i maskuar në ambientet e bankave, ka marrë paratë nën kërcënimin e armës dhe është larguar me monopatinë elektrike. Më pas, dyshohet se e ka futur atë në një automjet të marrë me qira për të vijuar largimin.
Identifikimi i tij u bë pas analizimit të përgjimeve telefonike, pamjeve filmike dhe automjetit të përdorur. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ka pasur bashkëpunëtorë, pasi dyshohet se një person tjetër e ka ndihmuar të largohej pas grabitjes së parë.
Ai dyshohet se ka kryer edhe 26 grabitje të tjera me armë në Greqi.