Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ku u arrestua një shtetas gjerman dhe u sekuestruan 43 armë të gjata automatike në rajonin e Gjilanit.

Përmes një postimi, Sveçla tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur.


Ai vlerësoi punën e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale, duke theksuar se institucionet po angazhohen në parandalimin dhe luftimin e rrjeteve të trafikimit ndërkombëtar të armëve.

“Institucionet tona po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar në rajonin e Gjilanit, ndërsa gjatë kontrollit dhe skanimit të automjetit të tij janë gjetur 43 armët automatike.

Atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe trafikim të kundërligjshëm të armëve.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës janë duke vazhduar hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, përfshirë origjinën dhe destinacionin e armëve të sekuestruara. /Telegrafi/