
Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë për ish-kreun e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, duke e shpallur atë fajtor edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Bistri u dënua me 11 vjet burg për të dy akuzat, dënim i cili reduktohet në 7 vjet e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Apeli vendosi gjithashtu të konfiskojë të gjitha pasuritë e Bistrit të sekuestruara gjatë hetimit paraprak.
Vendimi për dosjen e njohur si “Metamorfoza” u shpall të mërkurën nga kryesuesi i trupit gjykues në Apelin e Posaçëm, Dhimitër Lara. Në fuqi u lanë dënimet e shkallës së parë për të pandehurit Behar Brajoviç me 8 vjet e 8 muaj burgim; Edmond Prekës me 7 vjet heqje, Astmer Bilalit me 5 vjet e 8 muaj burgim dhe Xhevahir Litës me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Apeli vendosi gjithashtu të lërë në fuqi dënimin e Oltion Bistrit me 2 vjet burg për zbulim të akteve sekrete. Ndërkohë, u ndryshua vendimi i shkallës së parë për dy veprat penale për të cilat akuzohej Bistri, duke e dënuar atë me 5 vjet burgim për korrupsion pasiv dhe 7 vjet burg për pastrim parash. Në bashkim të tre dënimeve, Bistri do të vuajë 7 vjet e 4 muaj heqje lirie.
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të konfiskojë pasuritë e Bistrit të sekuestruara gjatë hetimit paraprak, dy apartamente me sipërfaqe 400 m2 secili dhe një apartament tjetër me sipërfaqe 110 m2; si dhe dy njësi me sipërfaqe 125 m2 dhe 95 m2. Po ashtu, u vendos konfiskimi i 1.3 milionë eurove likujditete.
Gjykata e Posaçme vendosi një vit më parë shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Bistrit, me argumentin se e kishte shlyer dënimin me 2 vjet burg. Ai u lirua më 18 nëntor 2025, por pas vendimit të dhënë nga Apeli Posaçëm, do t’ë duhet të vuajë edhe 5 vjet e 4 muaj burgim.
Një investigim i mëparshëm i BIRN sbuloi se vetëm një muaj pas arrestimit të Bistrit, me miratimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të SPAK-ut, pasuritë e tij i shpëtuan skuestros. Shoqëria “Arlis Ndërtim” rimori në pronësi pesë apartamentetne sekuestruara duke paguar vetëm vlerën historike, përmes një serie aktesh revokimi që u legjitimuan nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Oltian Bistri u arrestua në korriktë vitit 2023 së bashku me të pandehurin Pëllumb Gjoka, i cili ka fituar dhe statusin e investitorit strategjik nga qeveria “Rama”, ish-zyrtarin tjetër të policisë Ardit Hasanbega dhe prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita. Operacioni u zbatua me bashkëpunim me Europol, Eurojust, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze.
Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa zyrtarët u akuzuan për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.
Pëllumb Gjoka dhe ish-funksionari policisë Ardit Hasanbegaj u gjykuan veçmas. Gjoka u gjet fajtor për sigurim të kushteve për vrasjen e dy personave dhe u dënua me 6 vjet, ndërsa Hasanbegaj me 5 vjet heqje lirie.







