SYRI TV
Një nga zonat me potencial turistik të lartë, Stëbleva, po shkon drejt shpopullimit total. Në fshat kanë mbetur vetëm të moshuar, të cilët kujdesen për bujqësinë. Ata tregojnë se të rinjtë kanë ikur nga pamundësitë ekonomike, arsimi, shëndetësia por edhe mungesa e mbështetjes për të zhvilluar turizmin në këtë zonë.
Dikur një zonë e populluar me qindra banorë, sot fshatrat e njësisë administrative Stëblevë janë drejt shpopullimit total. Të vetmit që po mbeten në zonë janë banorë të moshës së tretë, ndërsa të rinjtë janë larguar në emigrim.
Banorët shprehen për Syri Tv se mungesa e vendeve të punësimit, dhe kushtet e vështira ekonomike janë ato që detyrojnë më së shumti të rinjtë të braktisin vendlindjen.
Sipas banorëve, fshatrat malorë të kësaj zone vuajnë mungesën e infermierëve në qendra shëndetësore dhe detyrohen të udhëtojnë më tepër se gjysmë ore për në qendrën shëndetësore të Fushë-Studenit.
Të njëjtën situatë e vuajnë fshatra të tëra në bashkinë e Librazhdit dhe në qarkun e Elbasanit, ku vitet e fundit shpopullimi është ulur këmbëkryq dhe në zona ku dikur kishte gjallëri e jetë, sot gjen vetëm të moshuar e banesa të kyçura.
© SYRI.net