Rreth 300 shkolla në të gjithë Italinë janë evakuuar këtë të mërkurë pas një emaili anonim që paralajmëronte për bomba. Mes kërcënimeve ishte edhe një i drejtuar ndaj kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Kryeministrja Meloni deklaroi se deri tani nuk ka asnjë tregues për ndonjë “rrezik konkret” ndaj shkollave italiane. Sipas saj, kërcënimet duket se kanë si qëllim “të krijojnë alarm dhe shqetësim”.

Meloni bëri të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se ka thirrur një mbledhje me ministrat gjatë ditës. Emaili anonim përmbante edhe një kërcënim ndaj vetë kryeministres, sipas kopjeve të siguruara nga mediat italiane, përfshirë agjencinë LaPresse. Megjithatë, Meloni nuk e përmendi këtë kërcënim në deklaratën e saj, ndërsa zyra e saj nuk dha menjëherë një koment.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi se 300 shkolla kishin marrë kërcënime përmes emailit, raportoi LaPresse. Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për konfirmim. Në gjimnazin “Mamiani” në Romë, nxënësit dolën në rrugë duke menduar se alarmi ishte zilja e pushimit. Vetëm pasi kishin dalë jashtë, ata mësuan se bëhej fjalë për një kërcënim për bombë.

“Po thonë se ishte një alarm për bombë, sepse kishte mbërritur një email nga hakerë rusë, ku thuhej se do t'i vrisnin të gjithë. Ishte mjaft i dhunshëm”, tregoi 18-vjeçarja Anita Bartocci.

Ngjarja vjen pas një sërë kërcënimesh të rreme për bomba që kanë shkaktuar ndërprerje të aktivitetit të kompanive ajrore dhe transmetuesve në Europë gjatë javëve të fundit. Të shtunën, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, zbuloi se të dhënat e tij personale ishin publikuar në “dark web”, një pjesë e enkriptuar e internetit. Meloni fajësoi për këtë hakerët pro-rusë.