
Alexandre Pato ka kujtuar një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, kur në janarin e vitit 2012 ishte shumë pranë largimit nga Milani drejt Paris Saint-Germainit. Transferimi i brazilianit ishte pjesë e një operacioni që do t’i siguronte kuqezinjve financat për të afruar Carlos Tevez nga Manchester City, por në fund gjithçka ndryshoi pas ndërhyrjes së Silvio Berlusconit.
Në atë periudhë, Adriano Galliani kishte avancuar negociatat me PSG-në, ku në drejtim ishin Carlo Ancelotti dhe Leonardo. Madje, administratori i Milanit ndodhej në Londër për të mbyllur marrëveshjen për Tevezin. Por Berlusconi, i cili kishte një vlerësim të veçantë për Paton, vendosi të mos e lejonte largimin e tij.
Në një rrëfim për Luca Tonin në “Prime Video”, ish-sulmuesi tregoi se agjenti i kishte sjellë kontratën e klubit francez, por më pas kishte marrë një telefonatë nga presidenti i Milanit.
“Agjenti im erdhi nga Brazili dhe më tha: ‘Ky është kontrata e PSG-së, sepse Leonardo dhe trajneri Ancelotti duan që të shkosh menjëherë atje’. Ishte një kontratë shumë e mirë për mua. Më pas Berlusconi më telefonoi dhe më tha: ‘Duhet të vish në shtëpinë time, sepse duhet të flasim’”, kujton Pato.
Takimi ishte vendimtar. Berlusconi i bëri të qartë se dëshironte ta mbante në skuadër, duke e konsideruar si një nga lojtarët kryesorë të projektit kuqezi.
“Ai më tha: ‘Ale, nuk dua të të lë të largohesh. Ti je lojtari tek i cili kemi besuar dhe sapo ke qenë golashënuesi ynë më i mirë’. Unë iu përgjigja se vendimi ishte i tij. Në atë kohë isha edhe në një lidhje me Barbara Berlusconin. Ndihesha si në shtëpinë time, i kisha të gjitha aty. Mendova: ‘Jam mirë këtu, pse duhet të largohem?’”, rrëfeu braziliani.
Megjithatë, ky vendim nuk pati fundin e dëshiruar. Pato nisi të përballej me një seri dëmtimesh që ndikuan ndjeshëm në karrierën e tij. Në janar të vitit 2013, vetëm një vit pas transferimit të dështuar te PSG-ja, ai u rikthye në Brazil, ku firmosi me Corinthians për rreth 15 milionë euro.
Më pas provoi eksperienca te Chelsea, Villarreal, Tianjin Tianhai dhe Orlando City, përpara se të luante sërish në Brazil me Sao Paulon.
Edhe pse nuk ka luajtur prej rreth tre vitesh, 37-vjeçari nuk e ka shpallur përfundimisht të mbyllur karrierën.
“Nuk kam vendosur 100% të tërhiqem. Mendoj se, nëse stërvitem, mund të luaj ende. E njoh trupin tim dhe e di se çfarë duhet të bëj. Nuk është e lehtë, sepse kam kohë që nuk luaj, por nëse stërvitem mirë për një muaj, mund të rikthehem”, u shpreh ai.
