Bujqësia prioritet por me dorështrënguar në buxhet. Për 2027-ën Ministria e Bujqësisë do të marrë 17.9 miliardë lekë, nga 16.4 miliardë lekë këtë vit, ndërsa për skemën kombëtare që shpërndahet në pagesa për fermerët janë parashikuar 5.3 miliardë lekë, me rritje vetëm 100 milionë lekë nga ky vit.
“Shtimi i financimit për Skemën Kombëtare në vitin 2027 do të mundësojë vijimin dhe zgjerimin e pagesave direkte për fermerët, për krerë dhe sipërfaqe të mbjella, mbështetjen e të rinjve në bujqësi, luftës biologjike, certifikimit sipas standardeve te BE, si dhe financimin e investimeve në infrastrukturën e fermave bujqësore dhe blegtorale”, tha Salla.
Ministri i Bujqësisë tha në Komisionin e Ekonomisë që përpos skemës kombëtare do të vijojë kompensimi i TVSH-së me 10%, për të gjitha autofaturat që ata do të marrin kur shesin produktet e tyre.
“Fondi në dispozicion vitin e ardhshëm do të dyfishohet. Objektivi është që fermeri shqiptar të prodhojë me kosto më të ulët, të jetë më konkurrues dhe të ketë më shumë mundësi për të rritur të ardhurat nga puna e tij”, tha Salla.
Për të garantuar cilësi dhe siguri ushqimore, ministri i Bujqësisë Andis Salla njoftoi se nga 1 janari 2027, në produktet e bulmetit do vendosen etiketa, ku do të listohen përmbajtësit e produktit, nëse kanë në përbërje qumësht pluhur apo vaj palme.
“Nga 1 janari nis etiketimi i të gjitha produkteve në territor, kjo lidhet edhe me qumështin, sepse problematikat në këtë sektor janë të shumta. Do të zgjidhë një pjesë të mirë të problematikave, por do të rrisë edhe sigurinë ushqimore. Është proces që do të kryhet bashkë me AKU-në”, tha Salla.
Subjektet që nuk do të deklarojnë saktë përmbajtjen e një produkti, do të gjobiten por edhe do tu mbyllet aktiviteti. Madje për të rritur edhe më shumë sigurinë ushqimore po ndërtohen 6 laboratorë në pikat kufitare, për të kryer analiza.
“Nëse 1 kilogramë djathë do të jetë 50% qumësht pluhur dhe 50% qumësht lope, nëse do të shkruhet në etiketë ndryshe, do të kemi masat e duhura ekstreme deri në bllokim të aktivitetit”, theksoi ministri.
Ministri u përgjigj shkurt edhe për fondet e IPARD III që prej gushtit 2023 janë të bllokuara nga Komisioni Evropian për shkak të abuzimit me fondet e IPARD II.
“Nuk dua që të zgjatem shumë këtu, pasi është një çështje në hetim, por dua të theksoj që kemi përmbushur të gjithë detyrimet apo pikat që na janë kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe jemi në fazën përfundimtare, ku ne kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe kërkesat që na janë kërkuar. Nuk kemi asnjë koment më për të gjithë fushën e përgjegjësisë që ne kemi apo që mbulojmë nga shteti shqiptar dhe presim përgjigjen nga Komisioni Evropian për çeljen e fondit të IPARD III”, u shpreh ministri pasi u pyet nga deputetët e opozitës.
Pak ditë më parë në progres-raportin e Komisionit Evropian theksohej se fondet e IPARD vijojnë të bllokuara për shkak se ende nuk janë përmbushur të gjitha kriteret për mbrojtjen e fondeve nga keqmenaxhimet.

Deputeti i PS-së Erion Braçe ka kërkuar nga ministri i bujqësisë të mbrohet më shumë prodhimit vendas. Duke iu referuar ngarkesave me pesticide të perimeve dhe frutave që ndalohen në kufi në Kroaci, deputeti pati një thirrje edhe për fermerët që ta “bojkotojnë” tregun kroat.
“Narrativen negative mbi prodhimin vendas nuk e kuptoj dot. Mënyra se si na trajtojnë në Kroaci është tërësisht abuzive, dhe nëse kam një thirrje sot për çdo eksportues shqiptar është që ta shmangë Kroacinë, ta shmangi. Nuk ka asnjë lloj leverdie për ne si treg, por ta shmangë edhe për rieksport. Fare të mos çojmë. Nëse Kroacia prodhon speca më të mirë se ne unë e lë mandatin e deputetit. Duhet mbrojtur prodhimi vendas. Na ndaluan ata atje, po a kemi analiza këtu brenda ne për atë produkt. A përputhen? Askush nuk është në krahun e prodhimit vendas, e njëjta gjë me mandarinat me pjeshkët etj. Duhet mbrojtur produktet. Bujku që nuk respekton karencën për pesticidet duhet të dalë nga tregu”, tha Braçe.







Komente
Komento