Profesionistët e rinj të shëndetësisë do të mund t'i nënshtrohen drejtpërdrejt Provimit të Shtetit sapo të përfundojnë praktikën profesionale, pa kaluar më në procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.

Ndryshimi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi se nga sot hyn në fuqi një akt i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit që u firmos nga ministret Mirela Kumbaro dhe Klodiana Spahiu. 

"Nga sot, përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, vjen një ndryshim i shumëpritur për profesionistët e shëndetësisë, i cili lehtëson fillimet e tyre në jetën profesionale, ku me përfundimin e praktikës profesionale, ata do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duke shmangur procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë" tha Rama. 

Sipas Ramës, nga ky vendim do të përfitojnë edhe profesionistët që e kanë përfunduar praktikën profesionale, por që janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit.

Kryeministri theksoi se masa synon të shmangë përsëritjen e procedurave dhe të lehtësojë nisjen e karrierës për profesionistët e rinj të shëndetësisë, duke ruajtur standardet e cilësisë profesionale.

"Me këtë akt lehtësues, nga i cili përfitojnë edhe ata që e kanë përfunduar praktikën, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit, synojmë të optimizojmë më tej mekanizmat e vlerësimit, duke u mbështetur në garantimin e cilësisë profesionale dhe shmangien e përsëritjeve proceduraleduke nxitur profesionistët e rinj që t’i bashkohen sistemit shëndetësor me integritet e motivim, të kontribuojnë më shpejt dhe me më shumë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve" tha Rama.