Sport

‘Do të shkojë te Barcelona’/ Legjenda e Manchester United parashikon të ardhmen e Erling Haaland

E ardhmja e Erling Haaland te Manchester City është një mister për botën e futbollit pas 114 akuzave administrative që rëndojnë mbi Citizens. Ai që foli për këtë, ishte legjenda e Manchester United, Paul Scholes dhe këtë e bëri në podcastin ‘The Good, The Bad & The Football’ .

Për ish mesfushorin anglez, shënuesi më i mirë aktual i Premier League mund të transferohet te Barcelona nëse Manchester City do të zbresë nga kategoria. Scholes u pyet për destinacionin e mundshëm të Haaland në rast të ndëshkimit te Manchester dhe anglezi përmendi emrin e klubit katalanas.

‘Barcelona, edhe pse duket më shumë si një futbollist të përshtatshëm të Realit të Madridit-tha Scholes-e imagjinoj me fanellën e Los Blancos, por ai do të shkojë te Barcelona’.

Kujtojmë se Erling Haaland në 2025 rinovoi kontratën me Manchester City deri në qershor të 2034. Por edhe pse nuk është bërë publike ndonjë klauzolë e zgjidhjes së kontratës së norvegjezit, dyshimet për një rënie administrative nga kategoria e Manchester City, mund të hapë dyert Haaland për t’u larguar nga klubi anglez. Te Barcelona prej kohësh e kanë ndjekur norvegjezin, por situata e blaugranave e bëri të pamundur blerjen e tij.

Në të njëjtin episod të podcastit, për të ardhmen e Haaland, foli edhe Nicky Butt, ish shok skuadre me Scholes te Djajtë e Kuq teksa përmendi edhe planet e babait të sulmuesit norvegjez, Alf-Inge Haaland.

‘Do të habitesha nëse ai nuk do të kishte përgatitur tashmë diçka diku. (Babai i tij) është kudo. Madje, gjysmën e kohës shfaqet edhe në tribunën VIP. E sheh të birin duke luajtur dhe përpiqet të marrë gjithë meritat për vete’-deklaroi Butt.

Në pritje të të rejave për të ardhmen e tij, Erling Haaland vazhdon të shënojë me fanellën e Manchester City dhe ka arritur në kuotën e 14 golave të shënuar në 14 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet; shifra këto që e bëjnë atë një futbollist shumë tërheqës në merkato.