Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt ka përzgjedhur tre ekspertët që do të angazhohen në punën e tij për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe shqyrtimin e veprimeve të institucioneve. Bëhet fjalë për Emina Avdyli Buzhalën, e cila do të mbulojë fushën penale, Besarta Breznicën, eksperte për dhunën në familje me bazë gjinore, dhe Skender Kandiqin, i cili do të angazhohet në çështjet sociale. Të tre u miratuan me shumicë votash. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komisionit, Burim Ramadani. Komisioni do të punojë së bashku me deputetët për të hetuar rrethanat që çuan në vrasjen e 25-vjeçares dhe mënyrën se si institucionet trajtuan rastin.