Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar buxhetin e vitit 2027 për shëndetësinë, duke theksuar se fondet mbeten nën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa qytetarët paguajnë nga xhepi 50% të shpenzimeve shëndetësore.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho ngre shqetësimin për përgjysmimin e fondeve për kujdesin parësor, mungesën e barnave dhe pajisjeve mjekësore, si dhe mungesën e projekteve spitalore në Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Berat.

Ajo ndalet edhe te largimi i mjekëve nga vendi dhe vështirësitë e pacientëve me kancer, duke akuzuar qeverinë se po i lë qytetarët të përballojnë vetë kostot e trajtimit. “Shëndetësia publike nuk mund të jetë biznes për klientët e qeverisë dhe luks për ata që kanë para. Shëndeti është e drejtë, jo privilegj!”, shkruan Xhixho.

Postimi i plotë i Xhixhos 

Buxheti i vitit 2027 nuk mbështet shëndetësinë duke mos adresuar një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve që kanë muaj që protestojnë. 

Edhe për vitin 2027, shëndetësia mbetet nën 3% të PBB-së, buxheti më i ulët në Europë, kur norma europiane është 7%. 

Qytetarët paguajnë nga xhepi 50 %të shpenzimeve shëndetësore, nderkohë që standarti BE është vetëm 15% . Kjo është fatura e korrupsionit dhe e braktisjes së shëndetësisë , që rëndon drejtpërdrejt mbi familjet shqiptare.

Kujdesi parësor merr më pak fonde, nga 7.2 miliardë në 3.6 miliardë lekë. Vazhdon mungesa e barnave thelbësore dhe pajisjeve mjekësore që s’ka asnjë zgjidhje me këtë buxhet. Nuk ka politika të reja për çmimet, rimbursimin apo cilësinë e barnave.

Miliarda lekë u derdhën në koncesione, që tani mbyllen pa transparencë dhe pa asnjë garanci se kush do t’i zëvendësojë. Ndërkohë, pacientët me kancer do të vazhdojnë të përballen me të njëjtën dramë: t’u drejtohen spitaleve private, të shesin shtëpitë apo të kërkojnë kurim jashtë vendit.

Pabarazia territoriale thellohet edhe më shumë. Kukësi, Lezha, Vlora dhe Berati nuk kanë asnjë projekt spitalor për vitin 2027. Nuk ka as politika konkrete për të nxitur mjekët e rinj të shërbejnë në këto zona, ndërsa Komisioni Europian ka rekomanduar shtimin e burimeve financiare dhe njerëzore, veçanërisht në kujdesin parësor.

Shqipëria ka humbur mjekë në mënyrë progresive çdo vit dhe vijon të humasë. Sipas OBSH, afro 22% e bluzave të bardha të trajnuara në Shqipëri punojnë në vende të tjera. 

Ndërkohë kemi numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë, vetëm 53% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka 79% të mesatares europiane, Serbia 76% dhe Mali i Zi 65%. 

Ky nuk është buxhet për shëndetin e qytetarëve, por buxhet që i lë shqiptarët të vetëm përballë sëmundjes dhe faturave të papërballueshme.

Shëndetësia publike nuk mund të jetë biznes për klientët e qeverisë dhe luks për ata që kanë para. Shëndeti është e drejtë, jo privilegj!