Shteti do të raportojë çdo vit pasuritë dhe detyrimet, bilanci i qeverisë deri më 30 qershor

Ministria e Financave do të ketë detyrimin të përgatisë çdo vit një bilanc financiar të konsoliduar të qeverisjes qendrore, ku do të pasqyrohen jo vetëm të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, por edhe pasuritë, detyrimet, aktivet neto dhe flukset monetare.
Detyrimi parashikohet në projektligjin e ri “Për kontabilitetin në sektorin publik”, të depozituar për shqyrtim në Kuvend, i cili synon të ndryshojë mënyrën se si institucionet publike regjistrojnë dhe raportojnë gjendjen e tyre financiare.
Sipas nenit 19 të projektligjit, Ministria e Financave do të përgatisë pasqyrat financiare të konsoliduara të qeverisjes qendrore dhe do t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave për miratim deri më 30 qershor të vitit pasardhës.
Ndryshe nga raportimi tradicional i zbatimit të buxhetit, i cili përqendrohet kryesisht te realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyrat e konsoliduara synojnë të japin një panoramë më të gjerë të pozicionit financiar të shtetit.
Nëpërmjet tyre do të mund të identifikohen jo vetëm burimet financiare që administron qeveria, por edhe detyrimet që ka marrë përsipër, pasuritë që zotëron dhe ndryshimet e vlerës së tyre gjatë vitit.
Një element i rëndësishëm është konsolidimi i informacionit financiar të institucioneve. Në vend që gjendja financiare të paraqitet vetëm në nivelin e secilës njësi publike, të dhënat do të bashkohen për të krijuar një pasqyrë të përgjithshme të qeverisjes qendrore, duke eliminuar transaksionet e brendshme ndërmjet njësive që përfshihen në konsolidim.
Kjo metodë synon të shmangë mbivlerësimin e të ardhurave, shpenzimeve, aktiveve apo detyrimeve që mund të lindë nëse transaksionet ndërmjet institucioneve shtetërore llogariten disa herë.
Një nga ndryshimet që synon reforma lidhet me kalimin drejt raportimit financiar sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara.
Sipas këtij parimi, transaksionet dhe detyrimet regjistrohen në periudhën kur lindin dhe jo vetëm në momentin kur kryhet pagesa apo arkëtimi.
Për shembull, nëse një institucion publik merr mallra ose shërbime gjatë një viti, por pagesën e kryen në vitin pasardhës, detyrimi financiar duhet të pasqyrohet në periudhën kur është krijuar.
Kjo ka rëndësi veçanërisht për evidentimin e detyrimeve të papaguara të institucioneve, të cilat nuk mund të vlerësohen vetëm duke analizuar pagesat e realizuara gjatë vitit buxhetor.
Në këtë mënyrë, pasqyrat financiare mund të japin informacion më të plotë për angazhimet financiare të qeverisë, përtej treguesve të zakonshëm të deficitit dhe realizimit të buxhetit.
Projektligji parashikon që raportimi financiar të përfshijë informacion për aktivet, detyrimet, aktivet neto, performancën financiare dhe flukset monetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









