Spanja paralizohet nga greva e përgjithshme, përplasje mes policisë dhe protestuesve, dhjetëra të arrestuar

11 Nëntor 2026 | 15:28

Spanja u përfshi të mërkurën nga protesta masive dhe përplasje mes policisë dhe punëtorëve grevistë, ndërsa vendi zhvilloi grevën e parë të përgjithshme në 14 vitet e fundit. Protestuesit bllokuan rrugë, autostrada dhe zona industriale, duke kërkuar strehim më të përballueshëm, rritje pagash dhe forcimin e shërbimeve publike.

Greva 24-orëshe shkaktoi ndërprerje të transportit dhe aktivitetit industrial në disa pjesë të vendit. Sipas transmetuesit publik RTVE, të paktën 23 persona u arrestuan deri në orët e vona të mëngjesit.

Situata u tensionua veçanërisht në Mercamadrid, tregun kryesor me shumicë të ushqimeve në Madrid, ku policia ndërhyri ndaj një grupi protestuesish. Sindikata e Komisioneve të Punëtorëve bëri të ditur se 13 persona kërkuan ndihmë mjekësore pas ndërhyrjes policore.

Kreu i sindikatës, Unai Sordo, dënoi përdorimin e sprajit me piper nga policia, duke theksuar se protestuesit kishin qenë paqësorë.

Ndërkohë, në Katalonjë, protestuesit bllokuan autostradat kryesore, zonat industriale dhe hyrjet në stacionin hekurudhor Sants të Barcelonës. Sindikatat raportuan gjithashtu ndërprerje të prodhimit në disa prej fabrikave kryesore të automobilave.

Greva u organizua nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, UGT dhe Komisionet e Punëtorëve, së bashku me organizata të tjera të punës, pas presionit në rritje nga aktivistët e strehimit.

Lëvizja mori hov pas rastit të Maricarmen Abascal, një 87-vjeçare që u dëbua nga banesa e saj dhe më vonë ndërroi jetë në spital. Rasti i saj u kthye në simbol të protestave kundër kostove të larta të strehimit.

Përveç kërkesës për banesa më të përballueshme, organizatorët kërkojnë rritje të pagave dhe përmirësim të shërbimeve publike.

“Asnjë rrogë nuk mund të përballojë çmimet e banesave në vendin tonë”, deklaroi kreu i UGT-së, Pepe Alvarez, përpara nisjes së grevës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Doneri 1 euro shkakton kaos në Dortmund, qindra të rinj përplasen me policinë, ndërhyn edhe helikopteri

Një ofertë e pazakontë për shitjen e donerit me vetëm 1 euro ka shkaktuar kaos në qytetin gjerman të Dortmundit. Qindra persona, kryesisht të rinj,...
14:48 | 11/11/2026

Egjipti shpall organizata terroriste 35 subjekte në Evropë, në listë edhe një shoqatë në Shqipëri

Egjipti ka përfshirë 35 organizata, institucione dhe shoqata, si dhe 36 individë, në listat e organizatave terroriste dhe personave të shpallur terroristë, për një periudhë...
13:57 | 11/11/2026

Bisedimet në Abu Dhabi, Rusia dhe Ukraina bien dakord për shkëmbim të të burgosurve

Rusia dhe Ukraina  ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve në shkallë të gjerë gjatë bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi me pjesëmarrjen e SHBA-së....
13:44 | 11/11/2026