BE i shpall luftë praktikave abuzive të tregtisë online

BE propozon rregulla të reja që parashikojnë gjoba për kompanitë që përdorin taktika manipuluese, si çmimet dinamike dhe mekanizmat që krijojnë varësi, për t’i nxitur konsumatorët të blejnë dhe të paguajnë më shumë.
E keni parasysh atë chat-botin e shërbimit ndaj klientit që nuk ju lejon të anuloni abonimin? Bashkimi Europian dëshiron t’i japë fund kësaj praktike.
Me një ligj të ri, Komisioni Europian synon të godasë një sërë praktikash që faqet e internetit kanë përdorur gjatë 20 viteve të fundit për të rritur fitimet në kurriz të konsumatorëve.
Akti për Drejtësinë Dixhitale (Digital Fairness Act – DFA) është përgjigjja europiane ndaj praktikave abuzive, përfshirë ndryshimin e çmimeve sipas kërkesës, procedurat e ndërlikuara për anulimin e abonimeve dhe zëvendësimin pothuajse të plotë të shërbimit ndaj klientit me sisteme automatike.
Sipas një projektligji paraprak, Komisioni Europian do të ndërhyjë në mënyrën si bizneset i projektojnë shërbimet dhe përcaktojnë kushtet e marrëdhënies me konsumatorët online.
“Europa nuk duhet të pranojë një ekonomi dixhitale ku fitimet varen nga shfrytëzimi i dobësive të njerëzve”, deklaroi eurodeputetja socialiste spanjolle Laura Ballarín Cereza.
Përfaqësuesit e industrisë kundërshtojnë rregullat e reja, duke argumentuar se legjislacioni ekzistues i mbulon tashmë këto praktika. Ndërsa organizatat e konsumatorëve theksojnë se rregullat aktuale, disa prej të cilave datojnë që nga viti 2005, janë të paqarta dhe nuk kanë penguar përhapjen e praktikave të padrejta.
Komisioni do të mund të vendosë gjoba deri në 6% të xhiros vjetore globale për kompanitë që shkelin ligjin. Ndryshe nga Akti i Shërbimeve Dixhitale, rregullat e reja do të zbatohen për çdo biznes që u ofron shërbime online konsumatorëve në BE.
Praktikat manipuluese
DFA synon të ndalojë teknikat mashtruese të projektimit të faqeve, të njohura si dark patterns, që manipulojnë konsumatorët, për shembull përmes butonave me ngjyra të ndezura, të vendosur në pozicione të dukshme për t’i nxitur të blejnë.
Ligji synon gjithashtu të ndalojë çmimet e personalizuara që shënjestrojnë konsumatorët e cenueshëm, përfshirë të miturit.
Një tjetër objektiv janë çmimet dinamike, kur shitësit ndryshojnë çmimin sipas kërkesës ose vendndodhjes së përdoruesit, praktikë e zakonshme për biletat e koncerteve dhe avionëve. Projektligji kërkon transparencë kur konsumatorët blejnë produkte me çmime që mund të ndryshojnë.
Rregullat mbulojnë edhe tregtinë përmes agjentëve të inteligjencës artificiale, që kërkojnë produkte dhe përfundojnë blerje në emër të konsumatorëve.
Katër eurodeputetë nga grupet konservatore, socialiste dhe liberale kërkojnë masa më të forta, përfshirë ndalimin e plotë të çmimeve dinamike për aktivitetet kulturore dhe sportive.
Kompanitë që ofrojnë abonime do të detyrohen të krijojnë procedura të thjeshta anulimi. Gjithashtu, për mbështetjen pas shitjes duhet të jetë i disponueshëm një punonjës, jo vetëm një sistem automatik.
Për herë të parë, rregullat trajtojnë edhe disa praktika të lojërave online, duke përfshirë ndalimin e lojërave që u mundësojnë fëmijëve të paguajnë për të fituar ose për të përparuar.
Ligji synon gjithashtu të kufizojë mekanizmat që krijojnë varësi në platformat online. Përdoruesit, përfshirë të rriturit, duhet të kenë mundësinë të çaktivizojnë funksione si luajtja automatike e videove.
Por Ballarín Cereza kërkon që këto funksione të jenë të çaktivizuara automatikisht.
“Pse duhet ta mbajnë konsumatorët barrën kur kompanitë i projektojnë qëllimisht këta mekanizma varësie? Duhet të kalojmë nga përgjegjësia e konsumatorit te përgjegjësia e kompanive: siguria dhe drejtësia duhet të jenë standardi, jo një mundësi zgjedhjeje”, tha ajo. / POLITICO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









