Vendosni fjalën kyçe....

PD propozon 5 amendamente për buxhetin e energjisë në 2027: Fokus te siguria, konkurrenca dhe mbrojtja e familjeve në nevojë


Partia Demokratike kërkon përfshirjen e pesë amendamenteve në projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin energjetik. Sipas deputetit Kliti Hoti, propozimet synojnë rritjen e sigurisë energjetike, modernizimin e rrjetit, nxitjen e konkurrencës dhe mbrojtjen e familjeve në nevojë.

Gjatë diskutimit, Hoti prezantoi pesë amendamentet që PD kërkon të përfshihen në buxhet. I pari lidhet me sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve, me synimin për të ulur varësinë nga importet.

Amendamenti i dytë parashikon investime për modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe digjitalizimin e tij, duke synuar uljen e humbjeve energjetike.

Propozimi i tretë fokusohet te eficienca energjetike, përmes krijimit të një fondi për përmirësimin e eficiencës në ndërtesat publike dhe banesat e familjeve në nevojë.

Amendamenti i katërt lidhet me konkurrencën dhe integrimin e tregut energjetik shqiptar me tregjet europiane, ndërsa i pesti kërkon më shumë transparencë financiare përmes raportimit periodik në Kuvend mbi investimet, huamarrjen, garancitë dhe rreziqet fiskale të ndërmarrjeve energjetike.

Sipas Hotit, pesë amendamentet duhet të shoqërohen me burime të përcaktuara financimi, afate konkrete dhe tregues performance.

“Këto amendamente duhet të shoqërohen me burime financimi, afate dhe tregues performance. Ne kërkojmë një buxhet që financon reformat, jo vetëm shpenzimet; një treg energjetik që krijon konkurrencë, jo vetëm ndryshim tarifash; dhe një politikë energjetike që mbron interesin publik, jo vetëm justifikon investimet”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike.