
Egjipti ka përfshirë në listën e organizatave terroriste 35 subjekte që veprojnë në vende të ndryshme të Europës, mes tyre edhe organizata shqiptare në tri shtete.
Në mesin e tyre është edhe Forumi Rinor Islamik, me të cilin lidhet emri i Muhamed Murtezit, aktualisht kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit dhe përfaqësues i koalicionit VLEN.
Ndonëse Murtezi ka mohuar të jetë kryetar i këtij forumi, gjurmët e aktivitetit të tij publik tregojnë një angazhim të mëhershëm. Në fotografi dhe video të publikuara si në profilet e tij, ashtu edhe në kanalin zyrtar të Forumit Rinor Islamik në YouTube, ai shfaqet duke marrë pjesë në organizime dhe duke mbajtur ligjërime fetare.
Për më tepër, në jetëshkrimin e tij të publikuar nga VLEN, në kuadër të kandidaturës për këshilltar komunal, thuhet se Murtezi ka qenë më parë kryetar i Lidhjes së Rinisë Islame.
Vendimi i autoriteteve egjiptiane lidhet me fushatën e gjatë kundër Vëllazërisë Myslimane, organizatë e themeluar në vitin 1928 dhe e shpallur terroriste nga Egjipti në vitin 2013, pas rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi.
Kajro i konsideron rrjetet që i lidh me këtë organizatë si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe synon të kufizojë aktivitetin dhe financimin e tyre. Shpallja në listën egjiptiane sjell pasoja ligjore brenda juridiksionit të këtij shteti.