Rreth 6 mijë shkolla në Itali morën një e-mail anonim që kërcënonte me sulme me bombë dhe me shfarosjen e italianëve, njoftoi Ministria e Arsimit. Mes institucioneve të prekura kishte shkolla të niveleve të ndryshme.
Mesazhi mbërriti në adresat elektronike të mijëra shkollave rreth orës 11:00. Dërguesi prezantohej si Mikhail Antropov, drejtues i grupimit të vetëquajtur “Vilayat i Misoginistanit”.
Të lidhura
None found
“Kemi ardhur për t’ju shfarosur. Do të vëmë në zbatim një gjenocid kundër italianëve”, thuhej në e-mail. Autori pretendonte se në godinat shkollore ishte fshehur një “eksploziv i fuqishëm”, brenda një qeseje plastike dhe me “aktivizim në distancë”.
Kërcënimi përfshinte edhe automjetin e kryeministres italiane: dërguesi pretendonte se kishte vendosur një bombë në të.
Kryeministrja Giorgia Meloni thirri një mbledhje për të diskutuar situatën dhe masat e sigurisë. Në disa shkolla pati evakuime dhe panik pas marrjes së mesazheve. Më pas, situata u duk se u kthye në normalitet, ndërsa autoritetet vazhdojnë ta ndjekin rastin.
Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në Irlandën e Veriut, ku e-mail-e të tilla u dërguan në qindra institucione arsimore. Policia vendase konfirmoi se bëhej fjalë për alarm të rremë.
Përmasat e kërcënimit dhe numri i madh i shkollave të përfshira kanë shkaktuar alarm të gjerë në sistemin arsimor italian.








