Qeveria planifikon të hapë një pikë tjetër kufitare me Kosovën, përmes së cilës do të kalojnë kamionë me qymyr të importuar nga Kosova. Këtë e njoftoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme me gazetarët, i cili tha se ky është pikëkalimi që më parë përdorej nga KFOR-i.

Ai tha se për të rritur prodhimin e energjisë elektrike të EMV-së, ata planifikojnë të vënë në funksion si TEC-in e Negotinës ashtu edhe atë të Osllomesë.


"Planifikojmë të hapim një pikëkalim të veçantë kufitar me Kosovën, i cili më parë përdorej nga KFOR-i për të sjellë qymyr më shpejt. Vetëm kamionë me qymyr do të kalojnë nëpër këtë pikëkalim kufitar, dhe është planifikuar që atje të kalojnë 200 kamionë me qymyr, si dhe 60 kamionë në pikëkalimin kufitar të Bllacës", tha Mickoski.

Ai tha se për funksionimin e tre blloqeve të TEC Manastir nevojiten mbi 6.000 ton qymyr.

Kryeministri njoftoi se një rritje e çmimit të energjisë elektrike është e mundur, por jo më shumë se 5%.

Ai tha se tenderi për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji dhe se pret që gjithçka të jetë në rregull.

"Kriza energjetike që nga fundi i shkurtit është ende duke vazhduar dhe në Evropë, rezervat e gazit janë në 50%, dhe niveli i ujit të lumenjve është i ulët dhe investimet e forta në qendrat e të dhënave kanë rritur konsumin e energjisë elektrike. Në BE, çmimi i energjisë elektrike dhe gazit është rritur me 3 deri në 3.5 herë, dhe në vendin tonë, për të mos rritur çmimin, po i bëjmë të gjitha këto gjëra", tha Mickoski./Telegrafi/