Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi vizitë zyrtare në Budapest, ku u prit nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Anita Orbán. Gjatë takimit, Hoxha vlerësoi mbështetjen e fortë të Hungarisë dhe rolin e saj si zë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor brenda BE-së, duke përmendur edhe angazhimin përmes Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, ministri theksoi se vendi ndodhet në fazën më vendimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ripohoi synimin e përcaktuar në udhërrëfyesin e Komisionit: të avancohen reformat dhe të përmbyllet pjesa teknike e negociatave deri në fund të vitit 2027. Hoxha shprehu kënaqësinë për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në këtë proces, duke nënvizuar vlerën e përvojës së vendeve që kanë kaluar më parë këtë rrugë.
Takimi trajtoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Hoxha dhe Orbán ranë dakord që sfida e radhës është t’u japin këtyre marrëdhënieve më shumë përmbajtje konkrete ekonomike dhe njerëzore: rritje të tregtisë dhe investimeve, lidhje më të forta në fushën e energjetikës, zhvillim të turizmit dhe bashkëpunim më të thellë në arsim dhe kulturë. Ministri nënvizoi se bizneset hungareze kanë tashmë prani të rëndësishme në Shqipëri, por se potenciali për zgjerim mbetet i konsiderueshëm, dhe shtoi se është përgjegjësi e të dy palëve të ndërtojnë mundësi konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Në bisedimet mes zyrtarëve u diskutuan edhe çështje të sigurisë rajonale dhe evropiane. Në fokus të takimit ishte siguria energjetike dhe rëndësia e unitetit të Aleancës së NATO-s, veçanërisht në një kohë kur Evropa përballet me sfida të thella gjeopolitike.
