Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi ka folur në komisionin e Ekonomisë për aeroportin e Vlorës, përballje e cila përfundoi në arbitrazh pasi VIA paditi qeverinë për shkak se Ministria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës, pas përplasjeve mes dy ortakëve.
Duke iu përgjigjur deputetit demokrat Igli Cara se kush po e menaxhon sot aeroportin e Vlorës, Ministri theksoi se kontrata është anuluar prej shtatorit dhe se brenda pak ditës në Kuvend do të paraqesin masat që do të marrin për këtë projekt, por pa bërë të qartë se cfarë janë këto masa.
Cara: Çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës, a po punohet? Kush po e menaxhon? Dhe a ka hyre ne fuqi anulimi i kontratës?
Karakaçi: Aeroporti i Vlorës duhet të ishte funksional në shkurt 2026, është një infrastrukturë publike. Koncesionarët për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre kanë çuar në vonesa të projektit. Në fund të shkurtit të 2026-ës nuk duhet të kishte mbaruar vetëm ndërtimi por të ishte edhe funksional. Kjo gjë nuk ndodhi. Në mars MIE i lindi e drejta për ta zgjidhur këtë kontratë, nuk e bëri këtë gjë, ju kërkua që të zgjidhje mosmarrëveshja. Në gusht duke mos patur më siguri për punimet, nisëm procedurat për zgjidhjen e kontratës. Arbitri i përkohshëm e trajtoi me shumë kujdes, dhe vlerësoi që MIE ishte në të drejtën e saj për ta zgjidhur kontratën, dhe që në fund të shtatorit ne e kemi të zgjidhur këtë kontratë koncesionare. Në ditët në vijim, do të vijnë disa masa në parlament sa i takon këtij aeroporti.
Më 29 maj, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi iu drejtua me një ultimatum 30 ditor dy ortakëve të kompanisë që fituan koncensionin e ndërtimit të aeroportit, duke i kërkuar MABCO-s së Behgjet Pacollit dhe 2A Group-it të Valon Ademit që të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre dhe të përfundonin punimet.
Në letrën e 29 majit qeveria theksonte se mosmarrëveshjet e lindura nuk kanë lidhje me autoritetin kontraktor, dhe paralajmëronte mundësinë e zgjidhjes së kontratës, duke iu referuar shkeljes së afateve për përmbylljen e punimeve.
Operimet në aeroport duhet të kishin nisur në muajin shkurt 2026, dhe afati maksimal ishte muaji maj, por për shkak të konflikteve mes ortakëve që tashmë janë një betejë të gjatë gjyqësore, aeroporti jo vetëm që nuk është operativ por as nuk janë finalizuar punimet.