Një shtetas shqiptar 38-vjeçar dhe një grua greke 34-vjeçare janë arrestuar në Greqi, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve, dy të dyshuarit po udhëtonin me një automjet privat, i cili kishte tërhequr vëmendjen e policisë për shkak të lëvizjeve të dyshimta. Gjatë kontrollit të makinës, efektivët zbuluan dy çanta udhëtimi, brenda të cilave ndodheshin 18 pako me marijuanë, me peshë totale 18 kilogramë e 800 gramë.

Përveç drogës, policia sekuestroi edhe automjetin që dyshohet se përdorej për transportimin e narkotikëve, dy telefona celularë dhe dy karta SIM.

Të arrestuarit do të përballen me akuzat përkatëse dhe pritet të dalin para Prokurorisë së Gjykatës Penale të Kosturit.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet ndaj trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 15 muajve të fundit, në disa zona si Igumenica, Janina, Kosturi, Follorina dhe Selaniku, janë sekuestruar mbi 1.3 ton marijuanë.

Një prej linjave më aktive të trafikut mbetet ajo Sarandë–Igumenicë, përmes së cilës dyshohet se është transportuar një pjesë e konsiderueshme e drogës së kapur nga policia greke. Në një prej operacioneve të mëparshme në Igumenicë, autoritetet zbuluan edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.