Gazetari më i besueshëm për Bayern Munichun e thotë hapur: Nuk ka shanse për ta transferuar yllin e PSG-së
Bayern Munich nuk ka pothuajse asnjë mundësi për të transferuar sulmuesin e Paris Saint-Germainit, Desire Doue, pavarësisht interesimit të mëparshëm për talentin francez, raporton gazetari Christian Falk.
Në një deklaratë për CFBayern Insider, gazetari i Bild ka zbuluar se bavarezët kishin tentuar ta transferonin Doue para se ai të bashkohej me PSG-në, por marrëveshja ishte konsideruar shumë e shtrenjtë.
“Nuk është e vërtetë që Bayern Munich i është bashkuar klubeve të Ligës Premier në garën për Desire Doue. Ai është një futbollist jashtëzakonisht interesant dhe Bayerni kishte tentuar ta sillte në Swbener Strabe, por në atë kohë ishte shumë i shtrenjtë dhe ai vendosi të shkonte në Paris”.
Gazetari gjerman beson se Bayerni e ka humbur momentin e duhur për transferimin e 21-vjeçarit, pasi tashmë vlera e tij është rritur ndjeshëm.
“Është një nga ato transferime ku mendon se, nëse nuk ke arritur ta marrësh kur ishte talent i ri dhe të gjithë e kërkonin, atëherë nuk do të arrish ta transferosh as tani që është një futbollist më i konsoliduar.

Ai po bën gjëra të jashtëzakonshme në Paris dhe thjesht nuk ka asnjë mundësi që Bayerni të paguajë shumën që PSG do të kërkonte për të. Më vjen keq, por për Bayern Munich është tepër vonë për këtë transferim”.
Paris Saint-Germaini gjithashtu nuk ka gatishmëri për ta shitur futbollistin francez, i cili deri më tani ka regjistruar 116 paraqitje me fanellën e klubit, duke realizuar 34 gola.
Ndërkohë, Bayern Munich vazhdon të kërkojë përforcime në krahun e majtë të sulmit, pasi gjatë afatit kalimtar të verës nuk arriti të transferonte një specialist të kësaj pozite.
Luis Diaz mbetet opsioni kryesor natyral në këtë repart, ndërsa trajneri Vincent Kompany ka përdorur gjithashtu Alphonso Davies, Nathaniel Brown dhe Serge Gnabry në këtë rol./Telegrafi/


































