Maran dhe Ismajli: Gati për Finlandën, objektivi është vendi i parë

11 Nëntor 2026 | 18:10

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Ardian Ismajli kanë dalë në konferencën për mediat në prag të sfidës me Finlandën, që do të luhet të enjten, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Në konferencën për shtyp, Maran u shpreh optimist për përballjen, duke theksuar se skuadra është përgatitur mirë dhe se lojtarët janë të motivuar për të marrë një rezultat pozitiv. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e tifozëve, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe përgjegjësi nga futbollistët.

Tekniku italian nënvizoi se objektivi është që skuadra të japë maksimumin në fushë, të shënojë e para dhe të shmangë gabimet që mund të ndikojnë në rezultat. Duke iu referuar ndeshjes së fundit me San Marinon, Maran pranoi se Shqipëria uli ritmin në pjesën e dytë, por vlerësoi reagimin e lojtarëve pas pësimit të golit.

“Skuadra duhet të zbresë në fushë me synimin për të shënuar e para dhe për të pësuar sa më pak. Sipas mendimit tim, ndeshja e fundit ndaj San Marinos ka krijuar pak konfuzion lidhur me atë që po bënim deri në atë moment, sepse skuadra edhe në Finlandë ka ndërtuar mirë lojën, ka bërë atë që duhej dhe besoj se ka treguar dëshirën për të shënuar sa më shpejt dhe për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Këtë e bëmë në Finlandë. Madje, ndaj San Marinos kaluam menjëherë në avantazh, por më pas ishim ne ata që i ndërlikuam gjërat. Jam i bindur se do t’ia dalim”, tha Maran.

Maran u ndal edhe te rëndësia e mbështetjes së tifozëve, pasi stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i mbushur plot. Ai theksoi se futbollistët duhet të largohen nga fusha pa pasur asgjë për t’i qortuar vetes, duke dhënë gjithçka për fanellën kuqezi.

Nga ana tjetër, Ardian Ismajli deklaroi se Kombëtarja është përgatitur shumë mirë për këtë përballje dhe se objektivi është ruajtja e vendit të parë në grup. Mbrojtësi theksoi se gjithçka varet nga vetë Shqipëria, ndërsa vlerësoi se skuadra ka cilësi për të arritur objektivin.

“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Ndeshjen e parë në Finlandë, besoj që hiq kartonin e kuq, kemi bërë ndeshjen ndoshta më të mirë në vitet e fundit. Episodet e bëjnë të veten dhe me atë episod, ndeshja iku si iku. E rëndësishme që jemi në vend të parë, gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë që ta mbarojmë ashtu siç kemi filluar”, tha Ismajli.

Ismajli u ndal edhe te gabimet e bëra në ndeshjet e fundit, duke theksuar nevojën për më shumë kujdes, veçanërisht në goditjet standarde, pasi të dy golat e pësuar në përballjen e parë me Finlandën erdhën nga goditjet e këndit.

Ai vlerësoi gjithashtu ndryshimet në mënyrën e lojës nën drejtimin e Maranit, duke theksuar se skema e re kërkon më shumë lëvizje dhe presion ndaj kundërshtarit, ndryshe nga loja më statike dhe mbrojtëse e mëparshme.

Në fund, mbrojtësi kuqezi u ndal te mbështetja e tifozëve shqiptarë, duke theksuar se futbollistët kanë përgjegjësinë të japin maksimumin dhe të bëjnë krenarë ata që i mbështesin.

“Pika jonë më e fortë është mbështetja e tifozëve dhe kjo varet sigurisht edhe nga rezultatet, por edhe kur rezultatet nuk janë ato që dëshirojmë, ata na kanë përkrahur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Për këtë jam shumë i bindur, pasi ma kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo që na takon neve është të dalim në fushë, të japim shpirtin dhe të bëjmë krenarë tifozët. Pastaj, sigurisht, ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati”, tha ai.

Shqipëria do të përballet me Finlandën të enjten në mbrëmje, në një sfidë të rëndësishme për objektivin e kuqezinjve në grupin e tyre të Ligës së Kombeve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Teherani mohon akuzat e Parisit për sulme kibernetike ndaj frigoriferëve

Irani të hënën hodhi poshtë “akuzat e pabaza” të Francës se Teherani luajti një rol në sulmet kibernetike në shkallë të gjerë që shënjestruan qindra...
16:23 | 10/11/2026

Humb jetën elektricisti 34-vjeçar në Shkodër, dyshohet se e zuri korrenti gjatë riparimit të një defekti

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në Shkodër, ku ka humbur jetën elektricisti Angjelin Nika, 34 vjeç. Sipas informacionit paraprak...
22:12 | 09/11/2026

Kurti takohet në Paris me personalitete franceze, diskutohet edhe aktgjykimi i Hagës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën në Paris me disa personalitete franceze që ndër vite kanë kontribuar në mbështetjen e Kosovës. Në...
19:31 | 09/11/2026